Intervistë me Fatos Nanon (9 Shtator 1999)


Intervistë me Fatos Nanon (9 Shtator 1999)

15:35 09/09/1999

Gazetari: Si e shpjegoni këtë ndryshim qëndrimi ndaj jush nga sekretarët aktualë socialistë, Zela, Legisi dhe Dade i kanë mirëpritur idetë tuaja të fundit statutore?

Fatos Nano: Nuk besoj se ka ndonjë dramë ose zhvillim dramatik në këtë gjë. I kam ndjekur me vëmendje dhe thekset që media ka vënë në këtë çeshtje siç kam ndjekur dhe shfaqjen në publik apo në diskutimet brenda partisë të drejtuesve të saj përfshirë dhe sekretarët, dhe më vjen mirë që po dëgjohet më me shumë vëmendje alternativa pa paragjykime se kush e lëshon atë sepse është e nevojshme, e dobishme, është bërë pothuajse e domosdoshme, që të ketë një mirëkuptim rreth vlerave, parimeve dhe rregullave që do ta çojnë partinë drejt një niveli më funksionues
të demokracisë dhe drejt një orientimi politik që duhet medoemos të jetë i njëjtë me atë të qëndrës së majtë në Europë. Dhe nga kjo pikëpamje nëqoftëse ashtu si juve konstatoni publiku duhet të shikojë që sekretarët dhe drejtues të tjerë të PS pranojnë jo vetëm diskutimin por dhe nevojën për ndryshim që do ta forconte partinë dhe do ta bënte atë më efikase dhe më të përgjegjshme në qeverisjen e vendit, ky është një lajm pozitiv.

Gazetari: E shikoni zotin Meta, Zv/kryeministrin aktual si rivalin kryesor në postin e kryetarit në këto momente?

Fatos Nano: Nëqoftëse rivali do të ishte një koncept përleshjesh unë e përjashtoj këtë gjë, nqs bëhet fjalë për partner në ide dhe në koncepte që i bëjnë idetë të kapshme për njerëzit dhe të pranueshme prej anëtarësisë së partisë, atëherë zoti Meta dhe cilido tjetër që ecën në këtë rrugë është i mirëpritur dhe unë do të prisja me shumë interes në mënyrë shumë pozitive z.Meta dhe cilindo tjetër që do të shfaqej në publik me të njëjtin angazhim dhe me të njëjtat koncepte modernizimi të partisë që janë dhe të miat.

Gazetari: Kryeministri Majko në funksionin e sekretarit të përgjithshëm i ka propozuar KPD-së në një mbledhje të kaluar që PS-ja në Kongres i duhet një pakt stabiliteti, mos ky propozim ju adresohet dhe juve në një farë mënyre?

Fatos Nano: Është një ide që funksionon gjithnjë në rast se me pakt nuk besoj së PS është destabilizuar sigurisht, do të kuptonim një marrëveshje të qartë transparente, të votuar dhe të mbështetur nga shumica, për të modernizuar partinë, për të rritur demokracinë e brendshme të saj, për të siguruar një kontroll më të mirë të zgjedhësve ndaj të zgjedhurve, si dhe për të përballuar në mënyrë me kolegjale dhe më të përgjegjshme sfidat e qeverisjes së vendit dhe pse jo ato që lidhen me një zhvillim shumë më të gjërë se sa ai i institucioneve dhe i ekonomisë vendase në kuadrin e hapjes dhe të integrimit të gjithë Ballkanit në Europë.

Gazetari: Nëse ju zgjidheni kryetari i PS në Kongres do të keni të njëjtin Kryeministër?

Fatos Nano: Nuk është drejtpërdrejt Kongresi i lidhur me zëvëndësimin e Kryeministrit sepse PS e ka Kryeministrin e saj dhe e ka të sajin dhe ai drejton një koalicion që përfshin forca të spektrit progresist të së
majtës dhe qendrës të cilët kanë një marrëveshje midis tyre dhe në këtë mënyrë unë dhe besoj opinioni i shumicës i përgjegjshëm në PS dhe në koalicion është i interesuar që Qeverisja të forcohet që ministrat e veçantë dhe Kryeministri të përballojnë më mirë më me efekt në mënyrë më të ekuilibruar dhe me një bashkëpunim të hapur me partinë dhe me forcat e tjera të koalicionit, sfidat e qeverisjes duke realizuar jo vetëm angazhimet elektorale të shfaqur në ’97 por dhe problematikën e re që është shfaqur për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Gazetari: Zoti Nano pse i keni zbutur tonet e kritikës ndaj Kryeministrit Majko ndërkohë që përkrahësit tuaj e kanë akuzuar shpesh kohët e fundit për abuzim me pushtetin si në rastin e rikthimit të drejtës së dhënies së shkollës së lartë si dhe në disa raste të tjera premtime për pensione të deputetëve e të tjerë?

Fatos Nano: Kritika nuk është grindje në konceptin tim kritika nuk është sharje kritika duhet të jetë e rreptë për veprime që ecin jo vetëm në kundërshtim me sensin e kohës por dhe me veprimet e drejta të ndërmarra nga Qeveria e po këtij koalicioni më parë, siç janë dhe rastet që përmendet ju. Pra çdo hap që do të shkonte drejt përdorimit të pushtetit per interesa personale, për klientelizëm politik apo për pasurim të paligjshëm duhet stigmatizuar qartë në publik, duhet bllokuar politikisht në parti dhe në
koalicion si edhe në legjislativ, kur merren iniciativa të mbrapshta dhe natyrisht duhet nxitur korrigjimi i tij i menjëhershëm. Në rast se bartësit e këtyre bëhen të pakorrigjueshëm ata duhet të largohen.

Gazetari: Ju preferoni kompromisin me ish mikun tuaj Majko?

Fatos Nano: Do të preferoja çdo kompromis me cilindo mik socialist partner dhe socialist dhe më gjërë dhe deri tek opozita,në rast se pranojmë principet e zhvillimit të institucioneve të shtetit ligjor në Shqipëri, të nxitjes dhe përballimit të përgjegjësive të reformave strukturore që janë të kushtueshme edhe nga pikëpamja politike dhe sociale në një konsensus kombeëar, si dhe të hedhjes së hapave të nevojshme për bllokimin e lidhjeve të politikës me krimin e organizuar./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme