Të shtëna me armë në Tiranë, 2 të plagosur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:00 në Tiranë, ku kanë mbetur të plagosur 2 persona.
Në një komunikatë për mediat Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, u shpreh se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën duke dhënë detaje për ngjarjen.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një kontrolli në kuadër ta masave të marra për parandalimin e Covid-19, ku efektivi i është afruar qytetarit për ta pyetur se përse kishte dalë dhe për ti kërkuar një mjet identifikimi, por ka hasur në kundërshtim të tij, duke u larguar me vrap.
Ndërsa efektivi i policisë e ka ndjekur dhe i ka kërkuar të ndalojë, qytetari, i cili dyshohet se është një person i rrezikshëm dhe i shpallur në kërkim, ka nxjerrë nga çanta një armë duke e kërcënuar.
Efektivi ka hapur zjarr, një herë në ajër për ta paralajmëruar, dhe më pas e ka qëlluar në këmbë.
Por plumbat kanë kapur dhe një qytetare që po kalonte rastësisht.
“Një punonjës policie, i cili i kërkon dokumentet e identifikimit një qytetari, ky i fundit nuk i është përgjigjur. Në momentin që i ka kërkuar çfarë keni në çantë, qytetari është larguar me vrap. Punonjësi i policisë e ka ndjekur nga pas dhe sapo kalon pjesën e parë, qytetari i ka drejtuar armën punonjësit të policisë. Ky i fundit e ka paralajmëruar që ju lutem ulni armën se do t’ju qëlloj dhe ka qëlluar njëherë në ajër sipas rregullores.
Qytetari ka lëvizur përsëri me vrap dhe në kohën që punonjësi i policisë e paralajmëroi përsëri që të ulë armën të dorëzohet, ai ka drejtuar armën dhe i ka thënë policit do të qëlloj, nëse nuk largohesh. Ndërkohë punonjësi i policisë ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur.
Aktualisht ndodhet në spital, mendohet që është plagosur në pjesën e poshtme të trupit, në këmbë, por akoma nuk kemi një informacion të saktë.
Në afërsi të kësaj skene ka qenë një qytetare e cila edhe ajo ka marrë një plumb në këmbë, nga punonjësi i policisë”.
Drejtori bëri me dije se dyshohet se autori është një person me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim.
“Dua t’ju bëj me dije se nuk e kemi identifikuar akoma këtë qytetar, por dyshimet e para janë që kemi të bëjmë me një person shumë të rrezikshëm i shpallur në kërkim për të cilin ne do t’ju bëjnë njoftim sapo të saktësojmë plotësisht identitetin e tij”.
Jaupi tha se punonjësi i policisë ishte i vetëm në momentin e ngjarjes.
“Është punonjës me përvojë, i ekipit Shqiponjave dhe ka vepruar në bazë të gjithë procedurave standarde të punës. Gjithsesi ne kemi ngritur grupin e punës për të sqaruar identitetin e personit që pak a shumë kemi një emër, por do t’ua bëjmë me dije pak më vonë, pasi të bëjmë krahasim e gjurmëve të tij. Momentalisht të plagosurit janë jashtë rrezikut, në spitalin ushtarak“. /tvklan.al