Vlorë, Nano, Gjinushi në Poro – (11 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Fatos Nano dhe Skënder Gjinushi në Vlorë për të përkujtuar edhe një datë tjetër historike të Luftës Nacional Çlirimtare. Sot në fshatin Poro në komunën Novosel të rrethit të Vlorës është përkujtuar 56 vjetori i krijimit të çetës myzeqare, ku mes dëshmorëve të rënë në luftë ishte dhe komandanti i saj Loni Mone.
Për të përkujtuar këtë datë historike ishin të ftuar nga organizatorët përveç kryetarit të parlamentit, ish-kryeministrit edhe deputi i zonës Arben Malaj me deputeten e Vlorës Luiza Hoxha etj. Ka munguar Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, i cili është nisur sot për në Gjermani për të marrë pjesë në një forum gazetarësh. Me këtë rast është përuruar edhe rruga e asfaltuar e cila lidh fshatin Poro me rrugën nacionale rreth 12 km e gjatë.
Ky projekt është realizuar nga një fond i Bankës Botërore që përfshihet në fondin e investimeve rurale. Pas Peshkopisë është hera e dytë që Nano brenda pak ditësh në funksion të fushatës së tij elektorale për rizgjedhjen në postin e kryetarit merr pjesë nëpër përkujtimoret e datave historike të Luftës Antifashiste./tvklan.al