Krimi dhe aksidentet në rrethe (18 Shtator 1999)
Në Tropojë, Shkëlzen Gjongeci është arrestuar mbrëmë pasi kërkohej nga Policia për një vrasje të kryer kohë më parë. Në aksionin e fundit të Policisë së Tropojës të drejtuar nga Komisari Gani Malushi ra në pranga dhe 23 vjeçari Agim Çela pasi ishte person në kërkim për vjedhjen e Bankës në Gjirokastër në Mars të 1997.
Një 19 vjeçar nga Kruma, Jetnor Lleshi vdes pas goditjeve me mjete të forta në kokë. Autori i vrasjes 23 vjeçari nga Hasi, Ylli Canalja është arrestuar mbrëmë. Në Shkodër 56 vjeçari Palok Doda vdes në vend pasi është përplasur me një makinë tjetër, shoferi i së cilës është arrestuar nga Policia.
Në Berat një vajzë 5 vjeçare është gjendur nën rrotat e makinës ndërsa ecte anash rrugës. Vogëlushja nuk ka vdekur por është në gjendje të rëndë në spital. Shoferi aksidentues 28 vjeçari Stefan Cunaj është arrestuar nga Policia. Drejtori i Policisë Ahmetaj ka larguar nga puna dhe ka gjobitur mjaft policë rrugorë.
Dje në qytetin e Përmetit janë mbledhur dhjetëra pushkë, automatike, mitralozë, 10 granata dhe 8 mijë fishekë. Në Librazhd një fëmijë 10 vjeçar është vrarë pa dashje nga vëllai i tij 13 vjeçar nga një armë me të cilën dy fëmijët po luanin./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj