Koronavirusi “pushton” botën, mbi 2 mln të infektuar
Kur shpërtheu kriza me koronavirusin e ri Covid-19 askush nuk e parashikonte që do të merrte këto përmasa. Sipas të dhënave të bëra publike nga Worldometer, deri më tani në të gjithë botën janë regjistruar mbi 2 milionë raste infektimesh.
Nga këta kanë humbur jetën 126 776 persona. Ndërkohë numri i të shëruarve ka shkuar në 484 781. Worldometer bën edhe një ndarje të rasteve aktive dhe atyre të mbyllura.
Aktualisht raste aktive janë 1 338 711 persona në të gjithë botën. Sipas të dhënave vetëm 4% e tyre, pra 51 603 janë në gjendje kritike për jetën. 1 337 568 të tjerë kanë simptoma të lehta, ose janë asimptomatikë.
Ndërkohë raste të mbyllura, pra ata që janë shëruar ose kanë humbur jetën janë 611 557.
79% e tyre janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. Ndërsa, 126 776 ose që përbën 21% të rasteve të mbyllura kanë përfunduar me fatalitet pasi kanë humbur jetën.
Nga grafikët e vënë në dispozicion, duket qartë se që nga data 6 Mars, kur u arrit shifra e 100 mijë të infektuarve në botë, është shënuar vetëm rritje.
Vendi më i prekur nga Covid-19 është SHBA-ja me 614 246 raste dhe mbi 26 064 të vdekur. Ajo ndiqet nga Spanja për nga numri i të infektuarve me 174 060. Shteti iberik numëron mbi 18 000 të vdekur. Listën e tre vendeve të para e mbyll Italia, me 162 488 raste dhe mbi 21 067 viktima.
Për nga numri i të infektuarve Franca renditet e katra, Gjermania e pesta dhe Britania gjashta. Kina, aty ku shpërtheu koronavirusi ka mbi 82 295 të infektuar në total dhe sipas informacioneve mbi 3 mijë të vdekur. /tvklan.al