Gjykata Kushtetuese, Fehmi Abdiu – (23 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kryeministri, Zëvendës Kryeministri, Ministrat dhe organet e larta shtetërore po shkelin Kushtetutën Shqiptare. Akuza e rëndë është dhënë sot para gazetarëve nga numuri një i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu. Abdiu e ka arsyetuar këtë akuzë me shkeljen e nenit 117 të Kushtetutës nga ekzekutivi shqiptar në zbatimin e akteve normative para se ato të botohen në Fletorën Zyrtare.
Fehmi Abdiu, kryetari i Gjykatës Kushtetuese:- “Mos zbatimi i kësaj kërkese të Gjykatës Kushtetuese, megjithëse referohet sikur gjoja ndodh për shkaqe objektive, ne mendojmë se kjo kërkesë nuk është konceptuar si duhet, nuk është vlerësuar si duhet dhe nuk është ushtruar kujdesi nga ministrat, kryeministri, zv/kryeministri, e titullarë të tjerë. E themi këtë sepse asnjëri prej tyre deri sot nuk ka marrë mundimin të kërkoj, për të gjetur rrugët dhe mjetet se si do ta përmbush këtë kërkesë, por shumica prej tyre janë justifikuar me faktin se e kanë të pamundur ti botojnë këto akte në një zyrë të vetme që ka kuvendi, që botohen në fletoren zyrtare. Jemi të detyruar dhe të vendosur që në rast se do të vazhdoj kjo praktikë që aktualishtë është anti kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do të kërkoj përgjegjësitë institucionit që ato i zbatojnë”.
Me këto veprime vijoi Abdiu, dëmtohen rëndë interesat e Shtetit Shqiptar. Kushtetutën e ka shkelur dhe Gjykata e Lartë, e cila sipas tij ka marrë përsipër të kontestojë vendimet e formës së prere të Gjykatës Kushtetuese. Janë mbi 12 çështje penale që Gjykata Kushtetuese i ka shfuqizuar pasi gjatë proceseve gjyqësore janë vënë re shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut.
Sipas Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, nga 129 kërkesa për shqyrtim kjo gjykatë ka dhënë vendime të formës së prerë për 20 çështje, ndërsa kërkesat e tjera janë në proces shqyrtimi. Abdiu ka shfaqur pakënaqësi edhe për punën e pamjaftueshme të Prokurorisë, e cila sipas tij nuk ka zbuluar shkaktarët e atentatit politik, i cili sipas Abdiut, vuri në rrezik jetën e tij dhe familjes së tij, në një kohë kur diskutohej Projekt Kushtetuta e Re e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame