Zgjerohet lista e bizneseve që marrin “pagë lufte” 26 mijë Lekë
Tatimet: Të shkarkuarit pas 10 Prillit nuk do të marrin ndihmë financiare
Tatimet do të hedhin “pagën e luftës” me vlerë 26 mijë Lekë për bizneset të cilave u është refuzuar aplikimi fillestar, sektorë që lejoheshin, por fizikisht e kishin të pamundur të punojnë, siç mund të jetë transporti, dhe kanë xhiro deri në 14 milionë Lekë në vit.
Me ndryshimin e aktit normativ të aktiviteteve të ndaluara, të gjithë këto kategori, thotë drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, nuk do të kenë nevojë të aplikojnë dhe njëherë, por do të kontaktohen vetë nga tatimet.
Aplikimi për bizneset e tjera që janë aktivitete të lejuara por biznese të vogla, të cilët përfitojnë 40 mijë Lekë për këto muaj do të nisë së shpejti dhe procedura do të jetë e ngjashme me aplikimin e “pagës së luftës”.
Edhe në rastin e kompanive të mëdha të cilët kanë pushuar nga puna punonjësit apo i kanë pezulluar ata, aplikimin duhet ta bëjë administratori i firmës. Por Ibrahimaj thekson se në këtë listë janë punonjësit e shkarkuar deri më 10 Prill, dhe asnjë pas kësaj date.
Që prej nisjes së situatës së COVID-19 dhe deri më sot nga skema e sigurimeve shoqërore kanë dalë afro 55 mijë persona të papunë. Deri tani tatimet kanë miratuar pagat e luftës për 45 mijë punonjës në bizneset e vogla, ndërsa 46 mijë janë refuzuar. Këta të fundit do të jenë pjesë e përfitimit nga paketa e zgjeruar, duke marrë në llogarinë e tyre 40 mijë Lekë.
Tv Klan