Spartak Poçi për punët e Policisë (22 Shtator 1999)
Ministri i Rendit Spartak Poçi falenderon të gjitha strukturat e Policisë për normalizimin e rendit në vend, pasi është takuar me drejtorë të drejtorive dhe i ka përgëzuar ata për punën e bërë. Ministri Poçi me anë të një letre ka përgëzuar në emër të Qeverisë dhe repartet e drejtoritë e Ministrisë, pasi të karakterizuar nga profesionalizmi, disiplina, korrektësia dhe trimëria kanë ndikuar në uljen e kriminalitetit, goditjen e bandave, sigurinë në të gjithë akset rrugore dhe pikave të tjera të nxehta.
Poçi ka përgëzuar në veçanti Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ka theksuar se në luftën ndaj krimit duhet të vihet në konsideratë fakti se në të ardhmen do të bëhet më i organizuar dhe më me lidhje të fortë me krimin ndërkombëtar. Poçi i ka transmetuar vartësve të tij se rritja e bashkëpunimit të publikut me Policinë, mbështetja më e madhe financiare nga shteti dhe përgatitja e infrastrukturës së re ligjore janë disa nga faktorët kryesorë që garantojnë përballimin e realiteteve të reja në luftë kundër krimit.
Po sot Ambasadori Limpreht është takuar me Kryeprokurorin Rakipi të cilit i premtoi se do të ndikonte pranë Qeverisë për realizimin e ndryshimeve legjislative në lidhje me organin e akuzës dhe i premtoi një bashkëpunim më të ngushtë me kolegët amerikanë./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj