Investimet e KESH-it – (24 Shtator 1999)


Investimet e KESH-it – (24 Shtator 1999)

13:22 24/09/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Numuri një i Korporatës Elektro Energjitike Shqiptare, Alfred Paloka ka paraqitur sot para gazetarëve treguesit tekniko-ekonomiko-financiar të kësaj korporate. Sipas tij prodhimi i energjisë elektrike është tejkaluar kundrejt programit, gjë që krijon kushte për furnizimin normal të konsumatorëve, uljen e huase së marrë nga kompanitë e huaja si dhe rritjen e sigurisë të furnizimit në shpërndarje.

Në krahasim me vitin e kaluar është faturuar nga KESH-i 22% më shumë energji elektrike. Deficitet e mëdha ndaj KESH-it kanë shkaktuar Korporatat e Kromit, Bakrit dhe Ujësjellsat. KESH-i po përgatitet masa për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së dimrit. Janë rikonstruktuar nënstacionet elektrike në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Peshkopi, Cerrik, Tepelenë dhe në disa linja 110 dhe 35 kilovatore.

KESHI-i ka përcaktuar paketat e projekteve të cilat do të realizohen me fondin e programuar nga buxheti i shtetit rreth 440 milionë lekë. Me këtë shumë do të realizohet rehabilitimi i nënstacionit të Shkodrës, Uzinës Traktori, Nënstacionit të Lezhës, Marinzës dhe ndërtimi i nënstacionit të ri të Tepelenës. KESH-i ka kërkuar sot mbështetjen e forcave të rendit, prokurorisë, gjykatave e pushtetit lokal për të ndëshkuar ata që abuzojnë me energjinë elektrike./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme