Meksi, Opozita Demokratike – (28 Shtator 1999)


Meksi, Opozita Demokratike – (28 Shtator 1999)

10:45 28/09/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ka lindur sot zyrtarisht grupimi alterntiv brenda Partisë Demokratike i quajtur “Opozita Demokratike” i përbërë nga themelues, politikanë dhe deputetë të kësaj partie. Ish-Kryeministri Aleksanër Meksi ka deklaruar para gazetareve se ndryshimet statutore synojnë një imazh të ri të PD për t’i siguruar asaj rikthimin në pushtet. Sipas tij mbajtja e shpejtuar e Kuvendit dhe kufizimi i mendimit të lirë nga drejtuesit aktuale të PD, nuk premton të realizohet në Kuvend një program dhe statut i vërtetë demokratik.

Meksi në krye të grupimit “Opozita Demokratike”, propozoi që kryetari i partisë të zgjidhet nga Kongresi dhe jo më shumë se 2 herë radhazi si dhe kryesia të zgjidhet nga Kongresi. Meksi ka vleresuar si kriter të domosdoshëm parimin çdo anëtar një votë dhe çdo delegat një votë. Meksi ka propozuar që deputetët të jenë antarë të këshillit kombëtar të PD. Ndër propozimet e tjera alternative ish-kryeministri Meksi shtoi:

Aleksandër Meksi:- “Duhet të lejohet krijimi i korenteve dhe rrymave pra mos të quhen agjent të këtij apo të atij. Unë kam kërkuar gjithashtu të krijohet një komision të urtësh me njërëz mbi 40-vjeç, me përvoja në fushën ligjore dhe sociale, për të shqyrtuar të gjitha ankimet, që njerëzit do të paraqesin për fushatën e fëlliqur të shpifjeve, të disinformacionit për të larguar ata për të cilët dihet që mendonin ndryshe. Vetëm në këtë mënyrë do të dimë kujt tja vëmë gishtin për ato që ndodhin. Brenda partisë duhet të ketë një komision për verifikimin e pasurisë të atyre që i përcakton ligji por që mbeten në parti. Të shpallen publikisht pasuritë e PD. Të dihen cilat janë strukturat ekonomike të saj dhe financimi në përgjithësi që ka PD. Që të mos kenë asnjë lloj posti ish-punonjësit e sigurimit të shtetit”.

Opozita Demokratike sipas ish-kryeministrit Meksit synon bashkimin e forcave demokratike të Qendrës dhe të Djathtës Shqiptare. Meksi ka propozuar gjithashtu që popullit ti njihet e drejta me referendum të korrigjoj nenet e Kushtetutës në bazë të vullnetit të tij të lirë./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme