Tritan Shehu, intervistë (26 Shtator 1999)
Duartrokitjet në forumet e Partisë Demokratike dhe mënyra e përvetësimit të partisë nga lideri i saj, rrezikojnë ardhjen e shpejtë në pushtet të forcës më të madhe opozitare. Është shprehur sot ish kreu demokrat Tritan Shehu pas zgjedhjes së kryetarit të ri të degës së Tiranës. Duke mos u shprehur kundër figurës së Vili Minarollit në veçanti Shehu ka konsistuar ashpër punimet e konferencës së djeshme.
Tritan Shehu: Është dominuar nga shkelja e procedurave në përgjithësi, është dominuar nga dëshira për të konsoliduar vetëm pushtetin e kryetarit aktual të PD-së, gjë që për mendimin tim arriti kulmin në Konferencën e PD-së të Tiranës, e cila filloi dhe u mbyll vetëm me brohoritje në të cilën u diskutua për grupe armiqësore, në të cilën u krijua një atmosferë shumë larg një demokracie të brendshme të gjerë, shumë larg rrahjes së mendimeve alternative brenda programit të PD. Është ajo që unë kam thënë që në fillim që ky Kongres nëqoftëse do të ishte organizuar mirë në kohën e duhur me përgatitjen e duhur mund t’i kishte ofruar mjaft gjëra të mira PD-së. Mënyra si u organizua, si u zhvillua dhe si u shfrytëzua kjo periudhë përgatitore për kongresin, e cila realisht ka mbaruar tashmë, ja kufizoi PD-së mjaft nga mundësitë e mëdhaja që kishte dhe unë të them të drejtën në këtë mënyrë ja largon ditën e fitores.
Gazetarja: Duke patur parasysh duartrokitjet e djeshme, cilat janë sinjalet që ju parashikoni për Kongresin?
Tritan Shehu: Sinjalet për Kongresin kanë ardhur që nga mënyra si u organizua dhe funksionoi Kongresi i jashtëzakonshëm i PD-së kur u vendos hyrja në Parlament. Pra metodika e punës së tij, mungesa e analizave, mungesa e daljes së përgjegjësive, shkaqeve, përgjegjësive personale, pse jo dhe e pagimit të një çmimi politik për ata që janë gabuar. Periudha e konferencave, veçanërisht konferenca e Tiranës tregoi që ne po vazhdojmë në atë rrugë. Unë jam i bindur që edhe Kongresi i PD-së i cili zhvillohet të enjten, do të eci në këtë rrugë duke kufizuar në këtë mënyrë mundësitë e mëdhaja që ka PD-ja, mundësi të cilat realisht i duhen sot Shqipërisë, i duhen vendit, i cili po mbizotërohet nga mungesa e plotë e qeverisjes nga kampi socialist dhe nga domosdoshmëria e rikthimit në pushtet të djathtës, por që në këtë mënyrë si po ecet unë them se ne ja largojmë vetes mundësinë e kthimit në pushtet dhe të një qeverisje të suksesshme pastaj mbas marrjes së pushtetit./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego