Rënia e të ardhurave mund të rrisë kreditë e këqija


Rënia e të ardhurave mund të rrisë kreditë e këqija

15:50 18/04/2020

BSH: Bankat të shëndetshme, duhet të rritin vigjilencën

Banka e Shqipërisë shpreh shqetësimin e dëmtimit të ekonomisë së vendit nga situata e pandemisë COVID-19 në të ardhurat e bizneseve dhe familjeve, e cila mund të ndikojë në rritjen e kredive të pashlyera ndaj sistemit bankar.

Në raportin e Stabilitetit Financiar të 6-mujorit të dytë 2019-ë, Këshilli Mbikëqyrës thotë se duhet marrë masat për dhënien e ndihmës financiare ndaj individëve dhe ndërmarrjeve private duke dobësuar konsumin e duke krijuar vështirësi në përmbushjen e detyrimeve financiare.

“Këto kategori mund të përfshijnë edhe vështirësi në shlyerjen e kredive të marra në institucionet financiare, duke sjellë rënie të cilësisë së kredisë në këto institucione dhe ndikim negativ në rezultatin financiar”.

Banka qëndrore shprehet se bankat tregtare mbyllën një vit të mirë financiar, çka i bën ato rezistente ndaj goditjeve që mund të shkaktojë pandemia, por kërkon që bankat të shpeshtojnë kryerjen e stres-testeve dhe të rritin komunikimin me Bankën e Shqipërisë.

“Për fundin e vitit 2019 dhe në raport me rreziqet konvencionale, rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës për gjendjen e kapitalizimit dhe të likuiditetit, tregonin gjendjen mjaft të mirë të këtyre kapaciteteve. Por situata e pandemisë, për efektet dinamike që po sjell në ekonominë e vendit, duket se përfaqëson një natyrë rreziku jokonvencional”.

Sipas të dhënave të vitit 2019, 1/4 e familjeve në Shqipëri kanë një hua për të paguar, ku pjesa më e madhe e tyre e kanë marrë në formë kredie bankare, dhe 1/3 nga burime jo-formale.

Biznesi rezulton të jetë më shumë i ekspozuar ndaj kredisë. 37% e kompanive deklarojnë se kanë hua për të paguar, ndërsa barra më e madhe e pagesës së kësteve të kredisë, rezulton t’i rëndojë bizneseve të vogla.

Tv Klan






Të ngjashme