Europa planifikon hapjen
Një pjesë e madhe e vendeve evropiane po shpalosin planet e rihapjes së qyteteve pas shumë javësh izolim. Me rënien e ndjeshme të shifrave nga koronavirusi, Greqia ka vendosur që të hapi vendin. Sipas mediave greke, më 4 Maj është faza e parë e rihapjes. Po ashtu në këtë datë do të lejohen edhe dyqanet dhe njësitë e shërbimeve të hapen.
Më 11-18 Maj janë datat kur do të hapen për herë të parë kafenetë, baret dhe restorantet. Hotelet do të hapen në 15 Qershor. Aktualisht në Greqi ka 2235 raste me Covid 19 dhe janë regjistruar 113 viktima.
Edhe pse numri i viktimave dhe infeksioneve është ulur, qeveria spanjolle ka shtyrë edhe më disa javë të tjera masat e izolimit përkatësisht deri në datën 9 Maj.
Që nga data 14 Mars, fëmijët në Spanjë kanë qenë të mbyllur në shtëpi, si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19. Duke u nisur nga situata e cila aktualisht paraqitet e qëndrueshme, kryeministri Pedro Sanchez është shprehur se nga data 27 Prill po shikohet mundësia që fëmijët të kenë një ditë të veçantë që të mund të dalin. Aktualisht Spanja numëron 198 mijë të infektuar dhe 20 mijë vdekje.
Duke filluar nga sot në Gjermani do të lejohet hapja e dyqaneve të vogla dhe në shkolla do të rifillojë mësimi për ata nxënës që janë në prag diplomimi. Sipas autoriteteve në vend numri i të infektuarve ka rënë ndjeshëm dhe situata ndodhet nën kontroll kjo edhe për shkak të testimeve në masë.
Ndërkaq për shkak të numrit të lartë të të infektuarve dhe vdekjeve, Britania e Madhe e ka lënë të pandryshuar datën e shtyrjes së masave të izolimit. Qeveria i shtyhu ato me 3 javë të tjera, për shkak se rreziku nga Covid-19 mbetet ende shumë i lartë. Në vend numërohen 120 mijë të prekur dhe 16 mijë vdekje.
Në Francë presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se vendi ende nuk është gati për të kaluar në fazën e 2, atë të lirimit të masave. Në vend deri më tani ka 153 mijë të infektuar dhe afro 20 mijë të vdekur. I gjithë globi numëron mbi 2 milionë e 414 të infektuar, nga ku 165 mijë kanë humbur jetën që kur pandemia nisi të përhapej.
Klan Plus