Tre viktima në Maqedoninë e Veriut


Tre viktima në Maqedoninë e Veriut

20:45 20/04/2020

1 225 persona në total, të prekur nga Covid-19

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftoi se kanë ndërruar jetë tre pacientë që kishin rezultuar pozitiv me COVID-19. Sipas njoftimit, në Klinikën Infektive në Shkup ka ndërruar jetë një paciente 46-vjeçare nga Llabunishta e Strugës, që ishte shtruar nga 29 Marsi e cila një kohë të gjatë ka qenë e kyçur në ventilim mekanik dhe një pacient 71-vjeçar nga Prilepi që ishte shtruar më 15 Prill.

Në Spitalin “8 Shtatori” ka ndërruar jetë një 63-vjeçare nga Kumanova, e shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore më 6 Prill dhe siç njoftohet menjëherë është vënë në respiratorë. Me këtë numri i përgjithshëm i viktimave në Maqedoninë e Veriut shkon në 54.

Sipas evidencës ditore, në 24 orët e kaluara janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirus. Gjysma prej tyre, 8 janë regjistruar në Kumanovë, nga dy raste në Shkup, Tetovë dhe Shtip kurse nga një rast në Gostivar, Veles dhe Pehçevë. Me këtë numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 shkon në 1 225. Në nivel vendi, në Shkup janë regjistruar 411 raste, në Kumanovë 338, Prilep 117, Veles 59, Tetovë 57, Strugë 55, Dibër 51 e kështu me radhë.

Vërehet numri në rritje i pacientëve të shëruar nga koronavirusi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Klinikën Infektive janë regjistruar 21 të shëruar, 16 nga Shkupi, 3 nga Kumanova dhe 2 nga Shtipi, që ishin mjekuar në kushte shtëpiake. Me këtë numri i përgjithshëm i të shëruarve në nivel vendi shkon në 200.

Në Klinikën e Shkupi, Spitalin “8 Shtatori dhe në Spitalet e Manastirit dhe Shtipit gjithsej janë të shtruar 123 pacientë të prekur nga koronavirusi, ku 36 prej tyre kanë pasqyrë më të rëndë klinike.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se brenda 24 orëve janë bërë 263 testime duke e çuar numrin e përgjithshëm të testeve në nivel vendi në 12133. 

Klan Macedonia






Të ngjashme