Pjetër Arbnori, intervistë – (6 Gusht 1999)


Pjetër Arbnori, intervistë – (6 Gusht 1999)

09:11 06/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ngjarja e Tropojës vazhdon të diskutohet ende kryesisht në qarqet e politikës shqiptare. Ndërsa dje Kryetari i Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut, Neritan Ceka ka lidhur ngjarjen me qarqe brenda PD e më tej me organizimin e një 14 Shtatori të dytë, sot kanë reaguar demokratët. Ish-Kryeparlamentari Arbnori ka rikthyer akuzat në drejtim të mazhorancës.

Pjetër Arbnori, deputet i PD:- “PD nuk ka pasur kurrë banda, bandat kanë qenë gjetiu dhe mendoj që zoti Neritan Ceka mos e gërvishte shumë atë plagë sepse do dalin gjëra që nuk janë të këndshme për të. Unë mendoj që edhe qeveritarët e dinë që kjo ka qenë një larje llogarie ose më mirë të themi një veprim për t’i mbyllur gojën përjetë disa njerëzve që dinin shumë gjëra, dhe që janë më mirë të vdekur se sa të gjallë se mund të dëshmojnë edhe ndaj miqve të tyre”.

Gazetarja:- Ka akuza të tjera ndaj PD për organizimin e një 14 Shtatori tjetër. Si i gjykoni ju këto akuza?

Pjetër Arbnori, deputet i PD:- “Partia jonë s’ka qenë kurrë revolucionare as është revolucionare. Ajo është që të fitojë me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të ishte për të qenë revolucionare ne e kishim pushtetin atëhere kur e braktisën të tjerët, kur ikën të tjerët dhe s’dinin nga të futeshin”.

Gazetarja:- Pse pikërisht këto akuza bëhen ndaj PD?

Pjetër Arbnori, deputet i PD:- Sepse janë pikërisht ato që bëjnë akuzat ato që i kanë bërë edhe rebelimin e 97 edhe janë përgjegjës për afro tre mijë vrasje të shkaktuara nga bandat, janë përgjegjës sepse ja kanë lenë pushtetin bandave me të cilat kanë bashkëpunuar dhe prandaj duhet t’ja lënë tani fajin dikujt tjetër. Synimi ynë është që të forcojmë të gjitha organet drejtuese dhe të forcojmë edhe lidhjet me bazën, sidomos me zgjedhesit tonë të cilët janë shumë dhe po na shtohen çdo ditë e më tepër”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme