Terrorizmi islamik në botë dhe Shqipëri – (7 Gusht 1999)


Terrorizmi islamik në botë dhe Shqipëri – (7 Gusht 1999)

14:20 07/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Sot mbushet një vit prej shpërthimit të dy bombave të vendosura pranë ambasadave amerikanë në Kenia dhe Tanzani. Në këto dy shpërthime gjetën vdekjen 224 vetë nga të cilët 12 ishin amerikanë. Për këtë akt terrorist FBI akuzoi organizatën Xhihad të drejtuar prej manjatit saudit Osama Bin Laden. Sipas një komunikate për shtyp kjo organizatë merrte përsipër akte të tilla si shenjë hakmarrje ndaj arrestimit dhe ekstradimit nga Europa Lindore të shtatë vëllezërve, katër prej të cilëve u përzun nga Shqipëria.

Që prej ketij momenti në të gjitha objektet diplomatike ushtarake amerikane jashtë territorit të SHBA masat e sigurisë u shumëfishuan, ndërkohë që në Shqipëri misioni diplomatik e reduktoi mjaft aktivitetin e tij. Sipas burimeve amerikane terrorizmi islamik kishte hedhur rrënjë të thella në vendin e shqiponjave për shkak të masave tepër liberale të aplikuara për hyrje-daljen e qytetarëve të huaj.

Media shqiptare e ka komentuar shumë këtë çështje në prizme të ndryshme. Ndërkaq të gjitha strukturat e rendit në bazë të informacioneve të marra nga shërbimet sekrete amerikane filluan gjuhetin e shtrigave ndaj shumë personave të dyshimtë të ardhur në Shqipëri nga vende me besimin mysliman. Janë kryer kontrolle të shumta nëpër fondacione bamirëse islamike.  

Gjatë viteve 98-99 autoritetet kopetente shqiptare kanë arrestuar dhe ekstraduar për në vendet e tyre rreth 20 vetë. Njëri prej tyre është vetvrarë kur është rrethuar nga policia. Në këtë listë bën pjesë edhe inxhinieri shqiptar i diplomuar në Arabinë Saudite, Maks Çiçiku i cili ndodhet në burgun e Tiranës. Më kryesori prej tyre deklarohet të ketë qenë Ahmet Ibrahim Al Nagar, i cili kishte marrë pjesë në vrasjen e kryeministrit egjiptian.

Edhe sot pas një viti Ambasada e SHBA në Tiranë vazhdon të punoj me personel të reduktuar nga frika e terrorizmit islamik. Megjithatë Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi nuk është dhe aq pesimist kur deklaroi dje se Presidenti i Amerikës Bill Klinton do të vijë në Shqipëri në muajin Shtator./tvklan.al






Të ngjashme