Sezoni i futbollit do të vazhdojë
FIFA jep OK për rregullat e reja gjatë verës
Federatat dhe Ligat Europiane të futbollit kanë nisur përgatitjet për të çuar deri në fund sezonin futbollistik 2019-2020, pjesa e mbetur e të cilit pritet të zhvillohet gjatë muajve të verës. Një problem i ngritur nga klubet ka qenë edhe ai në lidhje me lojtarët të cilëve u skadon kontrata më 30 Qershor.
Për këtë, FIFA ka ofruar zgjidhje për rastin në fjalë, pasi ka dhënë miratimin që klubet dhe lojtarët të mund të nënshkruajnë kontrata për të vijuar edhe përtej kësaj date, duke e kaluar topin në fushën e lojtarëve.
“Ne kemi dhënë miratimin tonë për zgjatjen e kontratave të paktën deri sa të përfundojnë ndeshjet e vlefshme për sezonin 2019-2020, pra me një apo dy muaj. Tani mbetet në duar të klubeve dhe lojtarëve që të arrijnë akordin për këtë çështje”, tha zv/Presidenti i FIFA, Vincent Montagliani.
Por a do të jetë ky propozim një zgjidhje e problemit? Në rast se merret një vendim i tillë, klubet duhet të negociojnë me të gjithë futbollistët njëri pas tjetrit për të arritur një akord për zgjatjen e kontratës për disa muaj më tepër.
Pikërisht për të shmangur negociata të tilla, klubet kërkuan një vendim detyrues, që do të zgjaste automatikisht kontratat e këtyre lojtarëve deri në përfundim të sezonit, me të njëjtat kushte si ato deri më 30 Qershor.
Klan Plus