Debatet në PSD – (11 Gusht 1999)


Debatet në PSD – (11 Gusht 1999)

09:07 11/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kanë vazhduar edhe sot në selinë e Partisë Social Demokrate debatet mbi daljen e fraksionit të sekretareve pas mbledhjes së djeshme të kryesisë të kësaj partie. Nënkryetari Apostoli shprehet se jo vetëm PS por edhe PD kanë ndikuar në idetë e fraksionistëve të cilëve sipas tij u mungon programi. 

Gaqo Apostoli, Nënkryetari i PSD:- “Fraksionet në një parti kanë dhe sipërfaqe dhe thellësi në trupin e partisë. Në rastin konkret do thosha nuk bëhet fjalë për thellësi ka një gërvishtje sipërfaqesore apo një plasaritje. Së dyti do theksoja që emri antikorrupsion është një spekullim, pra nuk është një fraksion antikorrupsion, por do thoja që është një grup që në vetvete i mungon
dhe morali politik bile do thoja dhe ai njerëzor. Sepse baza e tij janë epshet e shfrenuara për pushtet si në parti ashtu edhe në poste të ndryshme qeveritare që mund t’ju jenë ofruar. Doja të theksoja që bazohet edhe mbi shpifjet dhe fyerjen që janë bërë forumeve drejtuese të partisë si në rastin e zgjedhjes sime si nënkryetar i partisë ku akuzohet dhe këshilli drejtues kombëtar. Mund të ketë burime brenda PS por ndoshta dhe brenda PD, dihen taktikat e përdorura deri sot ne Shqiperi sidomos ne partite e vogla. PSD-ja e ka ndier me shumë nga të gjitha partitë në kurriz këtë gjë, që nëpërmjet teorisë së joshjes të individëve të ndryshëm në pushtet të bëhen lojera të tilla politike”.

Ndërkohë sekretari organizativ socialdemokrat Bari Myyftari e motivon idenë e krijimit të fraksionit brenda PSD, si lëvizje për të sjellë në drejtimin e skenës politike shqiptare figura të pa korruptuara.

Bari Myftari, Sekretar i PSD:- “Unë nuk marr përsipër se kush është i korruptuar. Marr përsiper që fenomeni i korrupsionit e demton PSD. Në
këtë pikpamje i është bërë thirrje dhe njerëzve që janë etiketuar për këtë punë të bëjnë veprimet në organizmat përkatëse. Pra partia jonë një parti relativisht e vogël nuk mund të mbajë dot etiketime të tilla. Pra nuk është puna se është deshirë kjo për të rrëzuar Skënder Gjinushin apo filan njeri tjetër. Në forumet sidomos Kongresi dhe kryetari ka atributin e Kongresit, në kongres pastaj paraqiten alternativa njerëzish, alternativa ideshë. Në këtë pikëpamje është Kongresi ai që vendos, nuk merret me individë”./tvklan.al

Gazetare – Vladimir Lame






Të ngjashme