Mafia shqiptare në Itali – (16 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Policia italiane në gjurmë të kriminelëve dhe mafiozve shqiptarë. Sipas mediave të vendit fqinj është zbuluar në krahinën e Pulias një auto-ofiçinë ku u gjetën disa mjete të blinduara. Ato shërbenin për të transportuar kolitë me cigare të ardhura kontrabandë nga brigjet e Malit të Zi. Policia italiane prej kohësh po e hetonte këtë kanal kontrabande, ku është përfshirë mafia turke dhe veçanërisht ajo e ashtuquajtura shqiptare.
Sipas burimeve policore keto makina të blinduara pasi e merrnin mallin kontrabandë e shpërndanin atë brenda ditës në Napoli, Kalabri madje deri në qytetin e Riminit. Fitimet nga ky biznes i paligjshëm brenda pak ditëve ka kapur vlerën e tre milliard lirave italiane.
Ndërkaq mbrëm në qytetin e Torinos mes dy bandave rivale shqiptare është zhvilluar një përleshje, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy vetë. Mendohet se përleshja është zhvilluar për ndarjen e zonave të trafikut të prostitutave. Faktet tregojnë se intesiteti i trafikut nga shqiptarët jo vetëm që nuk është ulur por gjithmonë vjen në rritje duke patur parasysh edhe trafikun e përditshëm të refugjatëve nga brigjet e Vlorës drejt Italisë./tvklan.al