Superliga nis më 24 Maj, Klan siguron dokumentin


Superliga nis më 24 Maj, Klan siguron dokumentin

16:23 24/04/2020

FSHF ka parashikuar kalendarin e ndeshjeve

Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të kampionatit dhe jo përfundimin e sezonit me akordimin e trofeve në tavolinë, pa u luajtur 10 javët e mbetura.

Sipas këtij dokumenti të siguruar nga Tv Klan, që mban datën 22 Prill Federata propozon që ekipet të zbresin në fushë me 2 Maj për të arritur formën fizike dhe më 24 Maj të rinisin ndeshjet, sigurisht pa praninë e tifozëve dhe nën masa të rrepta higjieno-sanitare.

Ky do të ishte skenari optimal për t’i përfunduar takimet më herët se 3 Gushti, data përfundimtare e udhëzuar nga UEFA një ditë më parë. FSHF i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Sportit e gatshme të ulet në bisedime për të gjetur momentin më të përshtatshëm për rinisjen e sezonit futbollistik 2019–2020.

Tv Klan ka mësuar se sektori i garave ka punuar për të ndërtuar kalendare për zhvillimin e ndeshjeve. Në datat e Majit të shenjuara me ngjyrë të kuqe është parashikuar që Superliga të rinisë me 24 Maj dhe të përfundojë më 22 Korrik. Ndërsa në datat e shenjuara me ngjyrë të verdhë është parashikuar të luhen ndeshjet e kupës me finalen më 26 Korrik.

Por nëse kushtet shëndetësore nuk do ta lejojnë zhvillimin e ndeshjeve të Superligës sipas këtij kalendari, atëherë FSHF ka gati të paktën edhe 2 plane të tjera për zhvillimin e ndeshjeve çdo 3 ditë. Do të jetë një kalendar i ngjeshur, por nuk do të cënohet integriteti dhe meritokracia në renditjen përfundimtare.

Tv Klan






Të ngjashme