Pandemia Covid-19 godet tregun e sigurimeve


Pandemia Covid-19 godet tregun e sigurimeve

16:05 25/04/2020

Përgjysmohen kontratat e siguracioneve në Mars

Tregu i sigurimeve ka pësuar një goditje të rëndë që prej nisjes së pandemisë së Covid-19.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, numri i kontratave të nënshkruara vetëm gjatë muajit mars është përgjysmuar, duke pësuar një zbritje me 50.6%.

Në total janë 48 668 kontrata të reja në sigurimin e makinave, jetës dhe pronës, nga rreth 100 mijë që u nënshkruan në mars të 2019-ës.

Rënie të ndjeshme ka pësuar edhe vlera e primeve të këtij tregu.

Veprimtaria e sigurimit të automjeteve është tkurrur me 42% në mars dhe ajo e jetës dhe shëndetit me 24%.

Shqiptarët muajin e shkuar kanë nënshkruar më pak kontrata të reja edhe për sigurimin e pronës nga fatkeqësitë natyrore, pavarësisht shtimit të volumit të këtij tregu pas tërmetit të shtatorit dhe 26 nëntorit.

Në total për marsin janë paguar 9.3 milion dollarë nga qytetarët për prime sigurimi, kundrejt vlerës 16 milion dollarë të paguar një vit më parë.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Siguruesve janë mbi 100 mijë mjete motorike në vend të cilat nuk kanë prerë siguracion, çka përbën 20% të totalit të makinave që qarkullojnë në Shqipëri.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka pezulluar shpërndarjen e fitimeve të kompanive në treg, në mënyrë që të mos ketë rrezik në financat e tyre për pagesën e dëmeve.

Tv Klan






Të ngjashme