Pezullohet polici nga detyra, u konfliktua me një qytetar
Një punonjës i policisë së patrullës në stacionin policor të Roskovecit është pezulluar nga detyra pasi u konfliktua me një qytetar. Pezullimi i tij është urdhëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00 në qendër të Fierit. Punonjësi i policisë me iniciale A.B., i cili ishte jashtë shërbimit, pas një konflikti për motive të dobëta, goditi me sende të forta automjetin e shtetasit Xh. O. dhe u konfliktua fizikisht me të.
Pas ndërhyrjes së patrullës është bërë shoqërimi i menjëhershëm i punonjësit të policisë dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit dhe SHÇBA-së, po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë. /tvklan.al