Ronaldinho thyen heshtjen
“Incidenti me pasaportën, një keqkuptim, shpresoj të zgjidhet shpejt”
Pas më shumë se një muaji i arrestuar në Paraguai për shkak të një pasaporte false, ish ylli i futbollit botëror, Ronaldinho ka thyer heshtjen.
Nga suita e tij në hotelin Palmaroga, ku po qëndron në masën e sigurisë arrest shtëpiak, fituesi i Topit të Artë foli për herë të parë, teksa tregon përballjen e tij me ligjin dhe ditët në burg.
“Ne u dorëzuam kur zbuluam se dokumentet nuk ishin të ligjshme. Nga ai moment, qëllimi ynë është që të bashkëpunojmë me gjykatat. Lajmi që do të shkoja në burg më goditi shumë. Unë kam besim, lutem gjithmonë që gjërat të shkojnë mirë dhe shpresoj se kjo do të përfundojë së shpejti”.
Por si i kalonte ditën, Ronaldinho pas hekurave të burgut?
“Luaja futboll, nënshkruaja autografe dhe bëja fotografi, janë pjesë e jetës sime. Nuk do të kisha asnjë arsye të ndaloja ta bëja atë, veçanërisht me njerëzit që po kalonin një kohë të vështirë si unë”.
Pasi të mbyll punët me drejtësinë paraguaiane, Ronaldinho premtoi se gjëja e parë që do të bëj është t’i japë një puthje të madhe mamasë së tij, Miguelina. Braziliani u arrestua në Paraguai më 6 Mars të këtij viti së bashku me vëllain e tij, ndërsa prej 7 Prillit po e vuan dënimin në një hotel të kryeqytetit paraguaian, Asuncion pasi pagoi një garanci prej 1.6 milionë dollarë.
Klan Plus