Procesi i 14 Shtatorit, dëshmon Meta dhe Milo – (27 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Procesi i 14 Shtatorit ngjit shkallë cilësore në hetimin gjyqësor ndërkohë që po afrohet skadenca e afatit për mbajtjen në burg të të akuzuarve të dosjes së parë. Dëshmia e sotme e Zëvendës Kryeministrit Ilir Meta për dhunimin e institucioneve dhe i ministrit të Jashtëm Paskal Milo për grusht shteti, kanë mbushur me dëshmi pro akuzës së prokurorisë për kryengritje të armatosur dosjen e këtij procesi të bujshëm.
Sot ka qenë radha e qeveritarëve dhe disa gazetarëve të TVSH, për të dëshmuar në sallën e njërit prej proceseve më të përfolur. Zëvëndës Kryeministri Meta dhe ministri Milo kanë dëshmuar për vendndodhjen e tyre në 13 dhe 14 Shtator. Megjithë insistimit të avokatit të Ekrem Spahisë për të detyruar Milon të deklaronte masat e marra nga qeveria për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.
Milo ka deklaruar se një pyetje të tillë mund ti përgjigjej vetëm ministri i atëhershëm i Rendit Publik Perikli Teta. Po ashti ministri Milo ka deklaruar se të gjithë ministrat e qeverisë së atëhershme Nano kanë qenë në krye të detyrës dhe nuk ë kanë braktisur postin e tyre. Sipas Milos të gjitha ambasadat në atë kohë kanë deklaruar se nuk do ta njihnin një qeveri të ardhur me dhunë.
Ndërsa Zv/kryeministri Meta në cilësinë e dëshmimtarit ka deklaruar se ishte vendosur nga ministri i Rendit Publik që TVSH të merrej me çdo kusht për të evituar çdo lloj destabilizimi të situatës, gjatë natës së 14 Shtatorit. Kjo gjë u bë falë ndërhyrjes së Dan Everts, ish-përfaqësuesi i OSBES tek njerëzit e PD. Meta ka theksuar se asnjëri prej anëtarëve të kabinetit Nano nuk është i implikuar për vrasjen tragjike të deputetit Azem Hajdari.
Milo dhe Meta kanë deklaruar se ka patur shkëmbim zjarri mes demostruesve nga njëra anë dhe ushtarëve të gardës nga ana tjetër. Këto dëshmi të tyre duket se do të shërbejnë për prokurorinë si argument për të hedhur poshtë pretendimin e të akuzuarve se të armatosurit shkuan për të mbrojtur institucionet e braktisura nga shteti. Ndërkaq kanë dëshmuar dhe gazetarët Ariana Qatipi, Bujar Muharremi dhe Fiqiri Sejdia, të cilët ditën e 14 Shtatorit kanë qenë në punë kur njerëzit e armatosur ishin në ambjentet e TVSH./tvklan.al