Fatos Nano, intervistë speciale ( 4 Tetor 1999)
Intervistë me ish Kryeministrin e Shqipërisë zotin Fatos Nano.
Gazetarja: Zoti Nano si e pritët vendimin e sotëm të Gjykatës?
Fatos Nano: Me qetësi, me shpresë se me mbylljen e këtij kapitulli të dhimbshëm në historine time personale, familjare dhe politike, hapet një kapitull i ri për të gjithë pra kapitulli i shtetit të së drejtës, kapitulli i madh i dhënies drejtësi për gjithkënd në Shqipëri, dhe me besimin se duke u bërë
të gjithë të barabartë tashmë, duke u pastruar njollat e padrejta të krimit mbi politikën, shtohen njerëzit, motivet dhe forcat demokratike në Shqipëri që mund të ndanin përfundimisht ndërhyrjet e politikës mbi shtetin ligjor dhe të qetësonin në tërësi të gjithë qytetarët që kanë paguar, që kanë humbur të afërm që kanë pësuar padrejtësi dhe që mbi të gjitha kërkojnë drejtësi përpara çdo gjëje tjetër.
Gazetarja: Ky vendim vetëm pak ditë para Kongresit, kjo vetëm një rastësi?
Fatos Nano: Kaq pranë Kongresit është rastësi. Në këtë periudhë kur unë nuk kam asnjë pushtet ekzekutiv apo të drejtpërdrejtë politik nuk është rastësi sepse kam këmbëngulur vetë që procesi i shqyrtimit të fajësisë me synim dhënien e pafajësisë për Fatos Nanon të bëhej pasi të mos isha më në Qeveri dhe pasi askush të mos kishte asnjë motiv për të thënë se do të përdorja pushtetin e mazhorancës politike aktuale për të mposhtur drejtësinë për interesa personale ose të PS-së. Pra është në kohën e duhur jemi të gjithë ende të rinj për të mos e humbur energjinë dhe shpresën se mbi të gjitha duhet të ngrihet drejtësia dhe shteti ligjor në Shqipëri.
Gazetarja: Gjatë fushatës së tanishme keni deklaruar se burgosja juaj u bë
simbol për shqiptarët e burgosur nga regjimi i Berishës. Pafajësia për çfarë do t’ju shërbejë?
Fatos Nano: Pafajësia është një kartë e fuqishme politike dhe morale për të gjithë socialistët që risjell në vëmendjen tonë luftën e drejtë që kemi zhvilluar dhe me të cilën kemi faktuar një solidaritet model në këto vite, një luftë kundër së keqes, një luftë për të çrrënjosur rrënjet e abuzivit me pushtetin dhe të ndërhyrjes së politikës mbi pushtetet e pavarura, pushtetet ligjore sidomos dhe mbi këtë bazë do të kthejë në të kundertën e protestës në angazhimin për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, një shtet që do tu
garantonte të gjithëve pacënueshmërinë e lirive dhe të drejtave themelore.
Gazetarja: Ndërkohë shtypi italian para një jave deklaroi se pafajësia e ish Kryeministrit Andreoti shpëtoi 50 vjet të historisë italiane. Mund të ishit në një paralele?
Fatos Nano: Nuk dua të humbas qetësinë dhe modestinë personale por çeshtja Nano nuk mbeti një çeshtje e individit Fatos Nano dhe për pasojë ajo
trazoi, ndezi politikën dhe raportet politike në Shqipëri për 5, 6, vjetët e fundit. Madje me shumë të drejtë socialistët kanë luftuar për të si çeshtja më kritike e këtij tranzicioni 10 vjeçar. Si të tillë ata e kanë paraqitur dhe në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare dhe me institucionet që kanë qënë dhe mbeten të pranishme në Shqipëri për të na ndihmuar të ecim drejt një shteti të së drejtës. Nga kjo pikëpamje unë besoj se ndaj dhe mendimin e tyre duke thënë le ta quajmë të mbyllur këtë faqe të dhimbshme të historisë shqiptare, fjala e dhimbshme më lejohet sepse bashkë me mua kanë paguar qindra dhe mijëra socialistë nën persekutimin e regjimit të Berishës dhe le të ndërtojmë një të ardhme tjetër ku alternativat në politikë, kundërshtarët në politikë, ndeshen në institucione, ndeshen për forcimin e shtetit dhe jo për ta shkatërruar atë dhe fatet e individëve përfshirë në debatin politik.
Gazetarja: Ditën e arrestimit ju keni deklaruar se sot fillon një betejë e gjatë mes politikës dhe antipolitikës. Pas kësaj dhe sa do të vazhdojë kjo luftë?
Fatos Nano: Kam përshtypjen që kjo luftë është ende në rendin e ditës, kjo luftë kërkon ende zgjidhje vendimtare për të ndryshuar orientimin e shoqërisë shqiptare dhe të politikës si forcë transformuese e saj drejt së ardhmes, drejt Europës, drejt institucioneve të një demokracie të qëndrueshme sepse antipolitika që duhet mposhtur dhe që është në grahmat e fundit është politika e rrugës, është populizmi, është abuzimi me pushtetin, është përdorimi i turmave për të sulmuar institucionet dhe përfundimisht duke ndihmuar shtetin ligjor të identifikojë dhe përgjegjësitë e politikanëve në të gjitha trazirat e këtij 10 vjeçari, detyra e politikës ndaj shtetit bëhet më e qartë dhe ajo motivohet përfundimisht që të mbështesë dhe të mos shkatërrojë më shtetin e së drejtës.
Gazetarja: Por brenda PS-së a pritet të marrë fund shpejt antipolitika?
Fatos Nano: Besoj se Kongresi që kemi në prag do të japë një përgjigje
vendimtare për këtë debat edhe brenda nesh. Sepse edhe ne si shqiptarë si një parti shqiptare të persekutuar dhe të mpleksur në problematikën kritike të tranzicionit të 10 vjetëve të fundit i kemi vuajtur këto fenomene brenda nesh, kemi imituar të keqen krahas përpjekjeve për ta luftuar atë dhe besoj se do të përfundojë me shërimin e sëmundjeve dhe me rikuperimin e individëve që janë bërë viktima të saj./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego