Shpallja e Fatos Nanos si kryetar i Partisë Socialiste ( 11 Tetor 1999)


Shpallja e Fatos Nanos si kryetar i Partisë Socialiste ( 11 Tetor 1999)

10:50 11/10/1999

Fatos Nano do të jetë kryetari i ri i Partisë Socialiste. Nano ka arritur të mundë në ditën e dytë të Kongresit të 30-të të PS-së rreth orës 5 të mëngjesit, dy rivalët për postin e Kryetarit, Pandeli Majko dhe Shkëlqim Meta. Procedura e votimit ka zgjatur mëse 12 orë. Pas numërimit të votave, Komisioni i Votimeve ka komunikuar fitoren e Fatos Nanos me 295 vota ndaj 261 votave të Majkos dhe 7 votave të Shkëlqim Metës. Para shpalljes së këtij rezultati Kryeministri Majko dhe Ministrat e tij kanë braktisur sallën duke mos i uruar fitoren kryetarit të ri socialist Fatos Nano. Megjithtë Nano i ka ftuar të larguarit në gjirin e Partisë socialiste.

Fatos Nano: Do të dëshiroja që të ishim edhe në këtë moment të gjithë sëbashku. Më vjen keq që një pjesë prej nesh nuk ndodhet këtu. Do të shpresoja që edhe ata të mos e konsiderojnë veten humbur sepse nuk ka as të mënjanuar dhe as të larguar nga kjo garë. Kjo është një garë për fitoren e Shqipërisë, për fitoren e shqiptarëve për integrimin e realeve dhe realiteteve tona në Europën e re.

Pasi ka folur për delegatët, Nano i është përgjigjur dhe pyetjeve të gazetarëve.

Fatos Nano: Në rast se rivali i institucioneve dhe i qeverisjes së mirë në Shqipëri, Berisha dhe jo i imi personal, do të mendonte se mund të përsëriste aventura destabilizuese të shtetit apo të Shqipërisë në një situatë krejt të ndryshme nga pothuajse një vit më parë edhe në Rajon, kjo do të ishte një aventurë e rrezikshme për të dhe për askënd tjetër. Une do të angazhohem me institucionet e reja drejtuese të Partisë Socialiste që dialogu politik të vazhdojë, por ai të mbështesë forcimin dhe jo dobësimin e shtetit ligjor.

Ndërkohë pasi kanë braktisur sallën e kongresit mbështetësit e Majkos dhe ish drejtuesit e Partisë Socialiste janë mbledhur në selinë qëndrore të Partisë për të vendosur për hapat e mëtejshëm të qeverisë në të ardhmen./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme