Shkodër, spektakli kundër dhunës (19 Tetor 1999)
Mesazhe për paqen. Kështu ishte titulluar sot spektakli që për më se 2 orë pushtoi sheshin përballë Universitetit dhe që mblodhi me qindra të rinj të shkollave të mesme dhe studentë shkodranë. Pas manifestimit të organizuar nga linja e këshillimit për gra e vajza kundër fenomenit të kriminalitetit radhën për të manifestuar e kanë patur të rinjtë e Shkodrës te thirrur nga Qendra Drejtësi e Paqe dhe OJQ te tjera që veprojnë në qytetin verior.
Mesazhi që u përcoll ishte për një jetë më të mirë dhe më të qetë në qytetin e Rozafës. Një emocion të veçantë krijoi recitimi i vargjeve të Martin Camaj dhe Migjenit nga aktorja Rita Gjeka. Morën pjesë aktorë dhe humoristë të qytetit të Shkodrës, si Rita Gjeka, Zef Deda e Edmond Halili. Menjëherë pas përformancës Zef Deda flet për Televizionin Klan.
Zef Deda: Për rininë unë i uroj që të mbjellin në zemrat e tyre sa më shumë lule dhe paqe. Paçim dashni gjithmonë në Shqipëri.
Fundi i këtij manifestimi për paqen që duhet theksuar se ja arriti qëllimit, koinçidoi me shpërndarjen e mesazheve në formë posterash që mbuluan sheshin. Secila prej shoqatave kishte lënë mesazhin e vet në këtë poster prej të cilave shkëputëm mesazhin e dhënë nga OSBE ; ” Dhuna është problem jo zgjidhje. Njerëzit nuk kanë nevojë për armë por për ligj dhe rregull. Krimi dhe dhuna janë armiqtë më të këqinj të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Jepuni fëmijëve tuaj një të ardhme dhe bëjeni Shkodrën një qytet pa armë”./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori