Plehrat në Sharrë – (30 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Në Sharrë çdo ditë mbi 50 makina plehrash të Tiranës derdhin ngarkesën e mbetjeve të konsumatorit Tiranas. Ka gati 30 vjet që ky njihet si vendi i grumbullimit të plehrave në krah të varrezave të Sharrës. 6 hektarë tokë e uzurpuar tërësisht nga mbeturinat. Askush s’mendon për një grumbullim total dhe përpunimin e tyre.
Individë të ndryshëm bëjnë seleksionimin e plehrave për të siguruar bukën e tyre të përditshme. Mbledhja e shisheve, kanoceve dhe më pas shitja e tyre përbën të ardhurat në këto shtëpi. Gra të papuna që i shmangen çdo bisede rreth punës që bëjnë aty. Shumica prej tyre thonë se kemi punuar në fermë dhe pas mbylljes së tyre kjo është rruga e vetme e të ushqyerit.
Megjithëse është një zonë e veçuar djegia e plehrave shkakton dioksinën, lëndën e parë kancerogjene. Njerëzit që punojnë këtu janë të shqetësuar në qoftë se këto plehra largohen prej këtëj dhe nëse merren përsipër të përpunohen, pasi u largohet mënyra e fitimit të të ushqyerit të përditshëm. Pra këtu nuk gjejmë veç njerëzit bukën e përditshme por edhe për kafshët kjo është rruga e gjetjes së ushqimit, prej këtej vjen edhe burimi i nënprodukteve me të cilat ne ushqehemi./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti