Ristrukturimi i Aeroportit të Rinasit (7 Nëntor 1999)
48 milionë deutschmarka kredi e Qeverisë Gjermane kanë bërë të mundur realizimin e projektit të rehabilitimit të Aeroportit të Rinasit. Sot pas përfundimit të punimeve zhvillohet ceremonia e aktit të marrjes në dorëzim të projektit nga Ministrja e Transportit Shuli, dhënë nga përfaqësuesit e kompanisë gjermane Siemens. Sipas kontratës pas përfundimit të punimeve duhet që një vit të provohet nëse punimet janë efektive, komform apo në parametrat e përcaktuar.
Kjo është konsideruar si periudhë garancie dhe pasi e ka kaluar këtë test, projekti merret në dorëzim në një ceremoni zyrtare. Periudha e krizës kosovare e cila solli shumë avione në pistën e Aeroportit të Rinasit madje dhe me tonazhe të rënda ndikoi më shumë në amortizimin e Aeroportit. Kompania Siemens ka bërë rehabilitimin e pistës në standarte ndërkombëtare, zgjerimin e vendqëndrimit të avionëve, gardhin rrethues, sistemin e ndriçimit dhe pajisjet e sistemit metereologjik. Punimet e mësipërme e kanë ngritur në një nivel më të lartë funksional Aeroportin e Rinasit./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti