Vlorë, kapen skafet – (9 Nëntor 1999)


Vlorë, kapen skafet – (9 Nëntor 1999)

15:07 09/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Zbulohet një qendër prodhimi dhe riparimi gomonesh dhe skafesh në Vlorë që përdoreshin për trafikun klandestin. Kjo qendër u zbulua në një magazinë private në lagjen “24 Maji” të qytetit pas një operacioni të kryer nga forcat e Komisariatit të policisë vendase mëngjesin e sotëm.

Policia bllokoi dy gomone që ishin duke u riparuar dhe dy që ishin në proces prodhimi. U kapën në vend dhe u shoqëruan për në Komisariat Idriz Musaj, Gertur Muça, Petrit Muharremi, Rakip Kocka, Ylli Halili, Frederik Hana, Drilon Hoxha dhe Ervin Dikellari, të cilët punonin për riparimin e gomoneve.

Rreth magazineës u grumbulluan të afërm të skafisteve numri i të cilëve arriti deri në 250. Një pjesë e tyre u shtrinë para mjeteve për të mos lejuar transportin e tyre kurse një grup prej 50 vetesh protestuan deri tek sheshi i skelës deri në afërsi të Komisariatit.

Forcat e policisë u larguan nga vendi për të shmangur konfrontimet me turmën, duke shoqëruar për në Komisariat Edmond Kllapin dhe Dule Metajn që morën pjesë në protestë./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme