Rama: Tirana mbetet zonë e kuqe, hapja do vazhdojë
“Jo qeveri tranzitore. 2 kërkesa të opozitës, të papranueshme”
Tirana duket se do të mbetet ishulli i vetëm në hartën e vendit që do të vazhdojë të klasifikohet si zonë e kuqe, sa i takon masave antikovid. Kryeministri Edi Rama thotë se lehtësimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim, kur është menduar dhe hapja e çerdheve dhe kopshteve në datën 1 Qershor, por kryeqyteti ka ende raste të shumta aktive, që e bëjnë të pamundur kalimin në zonë të gjelbër.
Në konferencën online me gazetarët, Kryeministri pranon vështirësitë në vendimmarrjen për çeljen e sezonin turistik, për të cilin ende s’ka një datë kur do të nisë. Pavarësisht krizës ekonomike, që pasoi tërmetin dhe pandeminë, është besimplotë se ngritja do të jetë e shpejtë.
Rama pranoi të flasë dhe për politikën, që në këtë periudhë ka kaluar në plan të dytë. Për Reformën Zgjedhore është i hapur për çdo kërkesë të opozitës, por 2 kushte janë të panegociueshme.
Jo e prerë, për të pranuar kërkesën e opozitës për qeveri tranzitore. Po kaq i prerë është dhe kur mohon mundësinë e një koalicion me ish-partinë e Presidentit në 2021. Jo, por e kushtëzuar, mundësi për rishikim të Reformës në Drejtësi.
Edhe për teatrin është i prerë, nuk ka kthim pas dhe presidentin që ka kërcënuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të dytën herë e klasifikon tek pakica që kërkon që teatri mos të shembet.
Tv Klan