Teatri i Operas, takimi i artistëve (11 Nëntor 1999)
Eshte koha të flasim ne artistët e vërtetë. Nuk jemi për pezullimin e shfaqjeve, nuk jemi për protesta dhe greva, por përkrahim reformën që përfaqëson projektligji për Teatrin. Kjo ka qënë deklarata protestë e dalë sot nga një takim i zgjeruar i të gjithë artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore.
Jemi artistë dhe vlerat i kemi në skenë, ne do të punojmë me të gjithë fuqitë tona, ishte ky thelbi i revoltës së solistëve titullarë. Nuk mund të durojmë me manipulimin që bëhet me emrat tanë për hir të interesave të disa personave, këto janë fjalët e artistëve. Ne duam të hapim sezonin dhe të bëjmë të gjitha shfaqjet, thanë ata, dhe duam të bëjmë reformën sa më shpejt.
Në një deklaratë të hapur drejtuar kryetarit të kuvendit, kryeministrit dhe grupeve parlamentare artistët shprehin domosdoshmërinë e aprovimit të projektligjit pavarësisht ndonjë përmirësimi të nevojshëm, projektligj që merr për bazë të mirën ligjore për zgjerimin e aktivitetit teatror në kushtet e konkurencës së lirë. Artistët në intervistat e tyre u shprehën:
Hysni Zela: Ne duhet të dalim në shfaqje se s’ka asnjë lloj kuptimi që të bësh prova në sallë dhe kur të vijë fundi mos të japësh ta pasqyrosh këtë para spektatorit. Kemi disa muaj që nuk po japim shfaqje dhe ne duhet të justifikojmë pagën tonë. Nuk jam aspak kundër reformës. Jam për të bërë reformë natyrisht siç u tha dhe këtu sot që të rregullohen ato pika që thotë kolektivi. Nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe.
Edit Mihali: Unë nuk jam për pezullimin e shfaqjeve, nuk jam as për mënyrën për t’iu kundërvënë një problemi apo një tjetri, me anë të protestave apo të grevave. Ama jam dhe me këtë tjetrën që është bërë një propozim dhe mendoj që është pozitive që duhet diskutuar për ligjin, për vendet ku mund të diskutohet. Ama jam që të bëhet reforma se vetëm ashtu mund të ecet përpara jo në këtë mënyrë si kemi vajtuar deri tashti.
Marjana Leka: Pezullimi i aktivitetit n skenë është gjeja më negative që mund të jetë për një Teatër. Të mos dalim në skenë do të thotë të mohojmë vetveten. Prandaj unë i ftoj të gjithë artistët që të kthehen në aktivitetin e skenës, të tregojmë veten artistë në skenë dhe artistë edhe në kërkesat që kemi për probleme të ndryshme të punës. Dhe jam për një reformë sa më të shpejtë në Teatër, sepse besoj që punët do të shkojnë shumë më mirë.
Nikolin Gurakuqi: Zgjidhja më e mirë është që ne të jemi në skenë, të bëjmë aktivitete. Përsa i përket pastaj projektligjit mund, do të ketë diskutime, është normale që të ketë diskutime por të gjitha diskutimet duhet të konvergojnë në fund të fundit për gjetjen e një konsensusi që projektligji i cili do të bëje një reformë institucionale artistike të jetë në shërbim të gjithë artistëve. Jam për këtë që kjo situatë absurde duhet zhbllokuar nëpërmjet rifillimit të kalendarit të shfaqjeve e aktiviteteve në Teatrin e Operas dhe Baletit. Punoj në këtë teatër, jemi punonjës të këtij teatri dhe të gjitha vlerat tona nuk mund t’i lëmë kafeneve por duhet t’ja japim skenës./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame