Kryeministri Meta në Durrës – (14 Nëntor 1999)


Kryeministri Meta në Durrës – (14 Nëntor 1999)

19:22 14/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Pas përurimit të fillimit të punimeve përpara dy ditësh në Kapshticë Kryeministri Ilir Meta viziton sot qytetin e Durrësit në ditët e trashëgimisë kulturore europiane. Durrësi rezervon dhe takimin e parë në nivel të pushtetit lokal me prefektin dhe kryebashkiakun.

Ndaj dhe në këtë takim të parë nga Prefekti i Durresit Martin Cukalla është bërë ekspozeja e ecurise së punëve në këtë qytet. Cukalla ka nënvizuar 12% papunësi 80% të investimeve janë realizuar, rendi është drejt nomalitetit por që ka dhe anomali përsa i përketë ujësjellësit të Durrësit e Shijakut, ndërsa rrugët për zonat turistike janë të pa asfaltuara.

Kryeministri Meta është shprehur i gatshëm të punojë më shumë me firmat që deri tani nuk e kanë bërë këtë punë. Pas pak vitesh do të shihet mundësia që Durrësi, porta kryesore e Korridorit 8 të bashkohet me Tiranën, ku mbipopullimi, u shpreh Meta, nuk duhet bërë në kurriz të ambientit. Kryeministri Meta ka treguar interes të veçantë për të ardhurat madje dhe për problemet energjetike.

Kryeministri Ilir Meta:- “Jemi të ndërgjegjshëm që sot vuajmë disa pasoja të akumuluara nga papërgjegjshmëria dhe mungesa e vizionit për të parashikuar zhvillimet e sotme. Pra është përgjegjësia jonë të mos përsërisim të njëjtat gabime dhe teë njejtën mungesë përgjegjësie dhe kjo ëhtë arsyja që unë jam këtu, për të njohur akoma më mirë situatën, për të parë gjithashtu meqënëse jemi në fund të vitit, realizimin e investimeve të programuara për rrethin qytetin dhe Prefekturën e Durrësit”.

Kryeministri Meta është zotuar se do të nxjerrë përgjegjësit kryesor të saj, qeveria do të godasë çdo institucion që ul besimin e qytetarëve. Kryeministri Meta nuk ka lënë pa përmendur rendin problematik për Durrësin dhe ka vënë afate që brenda një muaji të bëhen pastrime të të korruptuarve në polici. Rendi do të vendoset me çdo çmim.

Po sot Kryeministri Meta bashkë me Ministrin e Pushtetit Lokal, Ministrin e Kulturës dhe Trupin Diplomatik merr pjesë në festimet që nisin me parakalimin e bandës frymore dhe përurimin e memorialit kushtuar njerëzve të shquar të kulturës dhe artit të qytetit. Më pas të pranishmit kanë vizituar ekspozitën fotografike me pamje të monumenteve të ndryshme të arkitektures publike e private.

Bashkia e Durrësit mirëpret miqtë e saj me një koncert mireseardhje nga Qendra Rinore dhe Shkolla e Baletit. Pas kësaj kanë vizituar Amfiteatrin e Durrësit. Qyteti modern ndodhet sipër atij antik. Vlerat ndër shekuj janë evidentuar edhe një herë në Shtëpinë Etnografike te Aleksandër Moisiut. Ministri i Kulturë Rama për gjithçka të vëzhguar sot shpjegon.  

Edi Rama, Ministër i Kulturës:- “Natyrisht që trashëgimia jonë kulturore po kalon periudhën e vet ndoshta më të vështirë sepse jetojmë një epoke kur fryma e abuzivizmit dhe e komercializimit të çdo vlere ka arritur kulmin dhe ka dalë jashtë çdo kontrolli. Kështu që tempujt më të mrekullueshëm të trashëgimisë sonë kulturore janë bërë shpesh herë për të mos thënë rregullisht, preh e abuzivizmit, e sulmit barbar mbi to, qoftë për t’i grabitur dhe për të bërë tregti mbi këto vlera, qoftë dhe për të ngritur në brendi të tyre ndërtesa abuzive nga me profanet që mund të ekzistojnë”.

Sot është dhënë dhe alarmi qytetit që komunikon i pari me Perëndimin: s’është koha për abuzime, por për ndërtime./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti






Të ngjashme