Ura e Peshkatarit drejt shembjes (17 Nëntor 1999)
Vetëm 7 centimetër bazë mbështetëse në një shtyllë dhe 3 centimetër në shtyllën tjetër mbajnë aktualisht në këmbë Urën e Peshkatarit. Ura e Peshkatarit mbrëmë pas shirave të rrëmbyeshëm është shembur. Sipas specialistëve të xhenjës të ushtrisë kjo urë shumë shpejt nëse vazhdohet në këto kushte do të shembet plotësisht duke rrezikuar kalimtarët dhe makinat që tani nuk kalojnë. Policia Rrugore mbrëmë bllokoi dy hyrje daljet e urës.
Pasiguria e urës ka vazhduar dhe sot. Kjo urë është ndërtuar në vitin 1933 nga specialistët italianë në kohën e Mbretit Zog dhe që atëherë sipas specialistëve kjo urë nuk ka pësuar asnjë rikonstruksion. Shtylla kryesore e urës është dëmtuar rëndë. Çdo 15 minuta ura rrëshqet 10 centimetra. Sipas xhenierëve pas ndalimit të makinave duhet ndaluar dhe kalimi i kalimtarëve pasi jeta e atyre që kalojnë është në fije të perit.
Policët e alarmuar i bëjnë thirrje kalimtarëve që zbresin nga furgonët e Elbasanit të mos kalojnë urën të gjithë bashkë por një e nga një dhe ngadalë. Sipas xhenierëve përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve që sot nuk janë dukur fare aty duhet të veprojnë me shpejtësi duke e shembur fare pjesën e urës që ka lëvizur rreth 2 metra dhe duke e lidhur urën metalike provizore./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj