Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (23 Nëntor 1999)
Grupi parlamentar socialist ka miratuar sot programin njëjavor të punimeve të Parlamentit. Diskutimet janë përqëndruar tek projektligji për policinë e shtetit që është parashikuar të kalojë ditën e enjte në Parlament. Deputetët socialistë para shqyrtimit në seancë plenare të këtij projektligji kanë vendosur që para seancës të ketë një diskutim me Ministrin e Rendit Poçi.
Deputeti Luan Rama ka kërkuar që të ndërhyhet para Ministrit Poçi që në Parlament ligjin ta mbrojnë njerëz dinjitozë dhe jo dezertorë. Ndërkohë Opozita ka kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të këtij projektligji duke propozuar shumë amendamente të tij për të ndryshuar shumë pjesë të tij duke vazhduar ti qëndrojnë idesë për paktin.
Megjithatë grupi parlamentar socialist ka miratuar paraqitjen e projektligjit në seancën plenare të ditës së enjte. Deputetët socialistë kanë diskutuar sot edhe për projektligjin për shpronësimet për të njohur të drejtën e shpronësimit për të drejta publike. Deputeti Majko ka propozuar që mbledhja ku do të diskutohet ky projektligj të jetë i zgjeruar dhe të marrin pjesë komisionerë të bujqësisë dhe ekonomisë./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego