Tërmeti shkund Shqipërinë (28 Nëntor 1999)
Rrjeti sizmiologjik ka regjistruar rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm një tërmet të shkallës rihter rreth 4.2 ballë. Sipas specialistëve të institutit sizmiologjik epiqendra e tij është përcaktuar 35-40 km në Verilindje të Tiranës, në zonën Klos-Bulqizë. Tërmeti është ndjerë dhe në rrethe të tjera si 4-5 ballë në Krujë, 4 ballë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Burrel, Librazhd dhe 3-4 ballë në Elbasan e Shkodër. Lëkundjet kanë qënë më të ndjeshme në Krujë dhe Durrës.
Nuk ka njoftime për dëmtime, me përjashtim të Peshkopisë dhe Bulqizës ku për shkak të mungesës së telefonit nuk është marrë asnjë njoftim nga qendra sizmologjike. Sipas Drejtorit të kësaj qendre Betim Muço është pasojë e një sërë aktivizimesh që ka patur në zonën tonë sizmike. Shqipëria ndodhet në të njëjtin brez sizmik me Turqinë dhe Greqinë të cilat kohët e fundit janë përfshirë nga tërmete të fuqishme. Specialistët nuk mund të përcaktojnë nëse do ketë tërmete të tjerë pas këtij të sotmit./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego