Homazhet në Varrezat e Dëshmorëve (29 Nëntor 1999)
Nderim kujtimit të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Në kodrinën mbi kryeqytet ku prehën të qetë dëshmorët e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, sot kishte më shumë gjallëri se në ditët e zakonshme të javës. Që në orët e para të mëngjesit veteranët dhe familjarët e dëshmorëve kanë vendosur buqeta dhe kurora me lule mbi varre.
Kanë bërë homazhe pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, Kryeparlamentari Skënder Gjinushi, Kryeministri Ilir Meta, Kryesocialisti Fatos Nano, ministra, deputetë e përfaqësues të partive politike dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Tiranë. Minuta në heshtje dhe përulje me respekt kanë shoqëruar momentet e homazheve dhe ekzekutimin e himnit kombëtar shqiptar.
Homazhet në varrezat e dëshmorëve kanë ngritur siparin e festimeve me rastin e 55 vjetorit të çlirimit të atdheut përtë vijuar më pas me vizitat në familjet e dëshmorëve./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame