Partia Demokratike për 29 Nëntorin (29 Nëntor 1999)
29 Nëntori është një falsifikim i turpshëm i historisë. Kështu e kanë shpjeguar demokratët mospjesmarrjen në festimet e 55 vjetorit të Çlirimit. Sipas një qëndrimi zyrtar të kësaj partie, kjo parti nderon të rënët e luftës por denoncon ndryshimin që krerët e luftës rusë dhe serbë i kanë bërë historisë.
Demokratët kanë akuzuar sot Presidentin Mejdani si përfaqësuesi më i rëndësishëm i lobeve anti shqiptare. Mejdani, kanë deklaruar ata, kërkon që trupat ushtarakë të parakalojnë para tij, pikërisht sot ditën që kalojnë edhe para Millosheviçit. Partia Demokratike ka komentuar se festimi sot i 55 vjetorit të çlirimit, është jo vetëm rehabilitim që i bëhet diktatorit Enver Hoxha por dhe një fyerje për të gjithë shqiptarët.
PD gjatë kohës që ka qënë në pushtet ka ndryshuar me ligj datën e Çlirimit nga 29 në 28 Nëntor. Ndërkohë kjo është ndryshuar sërisht nga Parlamenti më 1997 me ardhjen e socialistëve në pushtet. Edhe pas kësaj PD nuk e ka njohur 29 Nëntorin si festën e Çlirimit./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego