Gjenerali Cikalleshi akuza Hajdaragës – (27 Nëntor 1999)


Gjenerali Cikalleshi akuza Hajdaragës – (27 Nëntor 1999)

21:43 27/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ish-komandanti i bazës së furnizimit të Ushtrisë Shqiptare, Gjeneral Brigade Aqif Cikalleshi akuzon Ministrin e Mbrojtjes Luan Hajdaraga. Në konferencën e sotme për shtyp ai ka bërë të ditur të gjitha skandalet dhe korrupsionin në dikasterin e gjelbërt lidhur me tenderat e zhvilluara për blerjen e orizit, xhupave, këpucëve, të bukës, të gomave për automjetet e ushtrisë e të tjerë.

Sipas gjeneralit Ministria e Mbrojtjes nuk bën gjë tjetër veçse ka dëmtuar arkën e shtetit duke abuzuar me miliona lekë të vënë në dispozicion për këto tendera dhe ky korrupsion mban emrin e Hajdarages. Sapo ky i fundit është sinjalizuar për këtë konferencë ka dërguar në mëngjes forcat e policisë ushtarake dhe ka komunikuar urdhërin për moszhvillimin e saj.

Cikalleshi u është përgjigjur gazetarëve në ambjent të hapur. Sipas tij këto humbje kanë ardhur si rezultat i shpërdorimit dhe nga urdhrat që ka nxjerrë Hajdaraga, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike Kiço Kalaja si dhe Drejtori i Logjistikës Kostaq Karoli. Gjenerali ka deklaruar se përveç prokurorisë ushtarake, asnjë organ tjetër nuk është i interesuar mbi këtë çështje aq më tepër që ai ka paraqitur edhe dokumentat përkatëse.

Cikalleshi për këtë problem ka vënë në dijeni Presidentin Mejdani dhe ish-Kryeministrin Majko, por nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare. Ai do t’i depozitojë dokumentat që disponon edhe në Parlamentin Shqiptar, për ti ndërprerë këto abuzime të hapura me tenderat e ushtrisë./tvklan.al






Të ngjashme