Mbledhja e Qeverisë, ligji për policinë – (27 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Më shumë lehtësi financiare për familjet e punonjësve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës. Pas miratimit nga Parlamenti të ligjit për Policinë e Shtetit, Qeveria sonte në mbrëmje në mbledhjen e saj të radhës ka miratuar vendimin për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të policëve të vrarë ose të plagosur. Zëdhënësja e Kryeministrit sqaron.
Mesila Doda, Zëdhënëse e Kryeministrisë:- “Ky vendim përmbledh shumë pika të cilat janë në interes të familjeve të policëve të vrarë ose të plagosur, të cilët nisin qysh me ndihmën ekonomike për personat që janë në ngarkim të punonjësve të policisë ashtu edhe për pajisjen e tyre me kredi afatgjate dhe me një interes minimal rreth 1 përqind për strehimin e tyre dhe për bursa për fëmijët e policëve të vrarë ose të plagosur”.
Për Ministrin e Rendit Spartak Poçi vendimi i sotëm dhe të tjerë që do të marrë në vazhdim Qeveria për trajtimin financiar të policëve, motivojnë punën e uniformave blu.
Spartak Poçi, Ministri i Rendit:- “Është projektvendim aplikimi i tij do të fillojë nga 91 pra do të përfshijë të gjithë ata policë që kanë dhënë jetën gjatë kësaj periudhe, prej 10 vjetësh afërsisht. Ka pika të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me trajtimin financiar të familjeve të policëve të vrarë ashtu sikundër janë dhe disa pika të tjera që kanë të bëjnë me ndihmën që shteti shqiptar, shoqëria shqiptare ju ofron fëmijëve të policëve për edukimin e tyre, për trajtimin financiar të tyre dhe mbi të gjitha dhe për shkollimin e tyre në të gjitha fazat e shkollave. Ky vendim nuk prek atë masë të familjeve që janë vrarë para 91 sepse ata janë trajtuar me ligjet e asaj kohe. Qeveria Shqiptare shumë shpejt do ta plotësojë edhe me nene të tjera, me pika të tjera këtë projektvendim me qëllim që familjet e policëve të trajtohen edhe kur ata janë gjallë por për shkak shërbimi ata nuk mund t’i ndodhen pranë familjeve të tyre, pra do të kenë lehtësira dhe shumë ndihma të tjera që polici shqiptar ta ndjejë veten tepër të motivuar për t’i shërbyer shoqërisë e cila edhe ajo nga ana e saj do të kontribuojë për familjet e tyre dhe për fëmijët e tyre”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego