Brojka ju përgjigjet akuzave të PD – (30 Nëntor 1999)


Brojka ju përgjigjet akuzave të PD – (30 Nëntor 1999)

13:42 30/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Nuk është faji im që data 29 Nëntor është caktuar datë zyrtare e Çlirimit të vendit, por faji i Berishës që ja la pushtetin socialistëve dhe lejoi të ndryshonin datën. Une si kreu i Pushtetit Lokal jam i detyruar të zbatoj ligjin.

Kështu i është përgjigjur Kryetari i Bashkisë Brojka akuzave të shkruara në gazetën “RD” mbi festimin e Ditës së Çlirimit në datën 29 Nëntor. Sipas gazetës Brojka ka vënë në pikëpyetje jo vetëm të sotmen por edhe të kaluarën e tij. Vetë kryetari Brojka sot sqaron.

Albert Brojka, Kryetari i Bashkisë Tiranë:- “Protokolli i Shtetit ka përcaktuar datën 29 Nëntor, festë zyrtare të çlirimit dhe në këtë festë une jam i detyruar me ligj të vendos kurorë në Varrezat e Dëshmorëve dhe të shoqëroj në vizitat në shtëpi Presidentin e Republikës. Këtë gjë kam bërë edhe kur ka qenë President Berisha, këtë gjë kam bërë dhe tashti që është President Mejdani. Moralisht nuk jam i kohës së diktaturës dhe nuk mbështes as diktaturën dhe as ata që e mbështesin sot diktaturen. Jam nga ata që mbështesin ligjin dhe pikërisht kam dalë mbi moralin tim për të respektuar ligjin dhe institucionet e shtetit”.

Gazetarja:- Po për gjithshka të shkruar në gazetën partiake demokratike?

Albert Brojka, Kryetari i Bashkisë Tiranë:- “Janë akuza të qëllimshme që bëhen pikërisht tashti që ndoshta unë kam dalë në një opozitë të hapur me kryetarin e partisë. Unë kam vendosur kurorën në Varrezat e Dëshmorëve edhe vitin që kaloi, megjithatë nuk u bë një kontestim i tillë, u bë pikërisht tashti. Kjo është thjesht një luftë politike për të goditur ata të cilët mendojnë ndryshe në PD. Do të ishte mirë që një kërkesë të tillë zyrtarisht ta bënte PD-ja e paktën kryesia e PD dhe jo gazeta “RD”, dhe unë do ta jepja menjëherë këtë dorëheqje, për të treguar se të drejtosh si Kryetar Bashkie nuk është privilegj por është një sakrificë dhe për t’i treguar dhe PD-së se neve kemi ardhur në pushtet të mbështetur prej PD-së për t’i shërbyer qytetarëve. për t’i shërbyer vendit, për të respektuar ligjet dhe në momentin që Partia që më ka kandiduar ma kërkon një largim të tillë, të jetë e bindur që do ta jap për të ruajtur dinjitetin e partisë por dhe timin personal”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti






Të ngjashme