“Kam frikë se vajza më ikën nga shtëpia”
Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e 27- vjeçares, Manuela Merga. Ajo rrëfeu se vajza e saj 9 vjeç është diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor, që kur ishte 3 vjeç dhe me kalimin e viteve, gjendja e saj është përkeqësuar edhe më shumë.
Aurora sillet në mënyrë agresive me fëmijët, me motrën e saj 3 vjeç, por edhe më vetë nënën e saj.
Manuela tregon se vajza ikën edhe nga shtëpia dhe si pasojë prej 4 vitesh as nuk punon sepse i duhet të kujdeset për vajzën.
Manuela Merga: Nuk shkoj dot në punë vetëm prej asaj. Isha në rrobaqepsi dhe dola vetëm prej asaj. Kur isha në rrobaqepsi, kur ishte goca 5 vjeç i kishte ikur burrit nga duart, më merr mami në telefon dhe më thotë, hajde se të ka humbur fëmija. Edhe që atëherë s’fillova më punë, e lashë.
Mirela Milori: Domethënë ti ke 4 vjet që nuk punon dhe kujdesesh vetëm për Aurorën?
Manuela Merga: Po!
Mirela Milori: Si sillet me ty? Është agresive me ty?
Manuela Merga: Është agresive, më godet, më gjuan!
Mirela Milori: Tani po rritet është bërë goxha vajzë! Është e vështirë të menaxhohet?
Manuela Merga: Po shumë e vështirë!
Mirela Milori: Po me motrën tani që u bë 3 vjeç, si është marrëdhënia me të?
Manuela Merga: Shumë e keqe, shumë agresive.
Mirela Milori: Ka ndonjë moment që zbutet, që vjen dhe kupton?
Manuela Merga: Jo fare, asnjë moment! E kap vajzën nga flokët, e godet, e gjuan!
Mirela Milori: Si mendon që do ishte një zgjidhje më e mirë për të, sipas teje ?
Manuela Merga: Çfarë zgjidhje, ajo është shumë agresive, shumë e keqe, sa po vjen po rritet, trupi po zgjatet. Kam shumë frikën e asaj.
Mirela Milori: Për çfarë ke frikë?
Manuela Merga: Që më ikën nga shtëpia! Rri duke e kërkuar nëpër rrugët e Durrësit, gjithandej./tvklan.al