Yjet mbështesin protestat


Yjet mbështesin protestat

19:01 01/06/2020

Vrasja brutale e afro-amerikanit George Floyd ka ngjallur një zemërim të madh qytetar jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën. Të shumtë kanë qenë edhe yjet e showbizit madje edhe personalitete që kanë kërkuar drejtësi për 46-vjeçarin.

Po si rrallë-herë të famshmit kanë dhënë donacione për t’i mbështetur këto protesta. Çifti hollywood-ian Ryan Reynolds dhe Blake Lively kanë dhuruar 200.000 dollarë për organizatorët e protestave që po bëhen për vrasjen e George Floyd.

Nën moton “Jeta e personave me ngjyrë ka rëndësi”, aktorët theksuan se me këtë gjë ata duan të edukojnë veten e tyre përmes eksperiencës së personave të tjerë.

Ata nuk janë të vetmit që kanë ndihmuar financiarisht protestuesit. Chrissy Teigen dhe Harry Styles janë dy të famshëm të tjerë që kanë ndarë një shuma të konsiderueshme për ta. Teigen, ka dhuruar 200.000 dollarë për t’i liruar me kusht ata që u arrestuan në protestat pas vrasjes së George Floyd.

Gjithashtu edhe basketbollisti i famshëm LeBron James ndau me ndjekësit e tij imazhe nga protesta e mbajtur në Colorado. “Mediat po e tregojnë këtë? Vë bast që jo. E dini pse, sepse kjo gjë që po bëjnë ata është bashkim, harmoni dhe dashuri”, ka shkruar ai në postim.

Edhe modelja Khloe Kardashian nuk e ka anashkaluar një rast të tillë, duke ndarë një mesazh solidarizues në rrjetin social Instagram. Sipas modeles njerëzit me ngjyrë janë të diskriminuar, viktimizuar dhe të vrarë për një kohë të gjatë.

Jo vetëm kaq, por vrasja e tij është komentuar edhe nga personalitete. Ish-Zonja e Parë e Amerikës, Michelle Obama në Instagram ka shkruar disa fjalë referuar racizmit një prej problemeve më të mëdha në Amerikë, por jo vetëm.

“Është në dorën e të gjithëve ne,  të njerëzve me ngjyrë, të bardhëve, të gjithëve  për ta çrrënjosur atë. Përfundon me drejtësinë, mëshirën dhe empatinë që manifestohet në jetët dhe në rrugët tona. Lutem që të gjithë të kemi forcën”, ka shkruar Michelle.

Gjithashtu edhe këngëtaret shqiptare me famë botërore Rita Ora dhe Dua Lipa ditën kur Floyd u vra reaguan gjithashtu përmes rrjeteve sociale, duke kërkuar drejtësi për të gjithë njerëzit e tjerë që diskriminohen. 

Një reagim publik e ka bërë edhe artistja tjetër shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Bebe Rexha, e cila përmes një postimi në Twitter ka shpërndarë peticionin online, ku po kërkohen ndëshkim për ata që e vranë Floyd.

“Askush nuk duhet të ndihet i pasigurt në këtë vend. Askush nuk duhet të vritet për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij. Dërgo tekstin ‘FLOYD’ në 55156. Nënshkruaj peticionin. Kjo duhet të ndryshojë”, ka qenë thirrja e 30-vjeçares në Twitter.

Klan Plus






Të ngjashme