Ngërçi në KLSH, ndryshon ligji
Zbulohet drafti: Propozohet emërimi i një nënkryetari
Socialistët nuk kanë humbur kohë dhe atë që Presidenti e denoncoi si një mekanizëm uzurpues të KLSH, e kanë kthyer në projektligj.
Në draftin që televizioni Klan disponon, propozohet që të amendohet ligji aktual për organizimin dhe funksionimin e KLSH pikërisht për emërimin e një nënkryetari për këtë institucion.
Për të evituar raste si precedenti aktual kur kryetari vazhdon të qëndrojë në detyrë edhe pse i ka përfunduar mandati afro 2 vite më parë pasi Kuvendi ka rrëzuar 3 kandidaturat e propozuara nga Presidenti, në projktligj kërkohet të shfuqizohet pikërisht ky nen.
Sa i takon postit të zv/kryetarit, ai emërohet nga Kuvendi me propozim të kreut të KLSH me mandat 3-vjeçar, por në rastet kur kryetari i këtij institucioni nuk e ushtron këtë të drejtë, atëherë propozimi i kandidaturës i kalon Komisionit të Ekonomisë.
Në draftin e hartuar nga socialistët parashikohet që zv/kryetari i KLSH të ushtrojë kompetencat e kryetarit në rast të vakancës në këtë post.
Presidenti e quajti këtë një tentativë për të kapur Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe paralajmëroi se do ta pengonte atë.
Tv Klan