“Është pozitive për shoqërinë shqiptare që filluan të reagojnë”


“Është pozitive për shoqërinë shqiptare që filluan të reagojnë”

18:16 10/06/2020

Dhuna ndaj grave, por edhe abuzimi seksual ka qenë kryefjala e ditëve të fundit. Ngjarjet e publikuara në media dhe dëshmitë e forta tronditën opinionin publik.

Për të diskutuar për këtë çështje e ftuar në programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte ndihmës komisionerja për të drejtat e njeriut, tek avokati i popullit, Etleva Sheshi.

Ajo u shpreh se denoncimi i rasteve të dhunës, nuk është në kulturën dhe mentalitetin tonë. Por rastet e fundit që kanë ndodhur treguan për një reagim ndryshe, ku e gjithë shoqëria u bë sensible dhe u ngritën në mbrojtje të viktimës së dhunës seksuale dhe të gjithë fokusin e drejtuan drejt dhunuesit.

Sipas saj është diçka pozitive që shoqëria shqiptare ka filluar të reagojë.

Mirela Milori: Dhunë e shëmtuar ndaj grave, shpeshherë nuk dinë ku të shkojnë. Çfarë ndodh, përse jemi në këtë situatë kaotike, që ndonjëherë  viktimat nuk dinë të artikulojnë saktë atë që iu ndodh dhe nuk merren seriozisht?

Etleva Sheshi: Problemi i dhunës ndaj grave dhe vajzave, ose dhunës me bazë gjinore nuk është një temë e re që ndodhi këto ditë. Në fakt gjithë shoqëria është bërë goxha sensible këto ditë, për shkak se u publikuan disa raste të dhunës seksuale. Aq sa për hir të së vërtetës, në mentalitetin edhe kulturën tonë, nuk është një dhunë që denoncohej shpesh. Po t’i referohesh edhe të dhënave për shembull, të rasteve të dhunës që denoncohen pranë organeve, institucioneve përgjegjëse, pranë policisë ose pranë organizatave të ndryshme, rastet e dhunës ose abuzimet sekuale janë shumë të pakta. Por në të vërtetë nuk është ky realiteti. Dhe kjo mendoj që ka të bëjë së pari me një kulturë të përgjithshme në shoqërinë tonë, që jemi në përgjithësi sidomos kur ndodh një dhunë seksuale fillojmë dhe mendojmë kushedi si ishte veshur, kushedi si e ka provokuar, i ka dhënë një shkas që ka ndodhur kjo dhunë, domethënë stigmatizohet. Ajo gjëja ndyshe që ndodhi në rastet e fundit ishte një reagim krejt tjetër, kur ne të gjithë e pamë që gjithë njerëzit dhe ajo që ishte shumë për të evidentuar ishte fakti që kishte shumë djem dhe burra në këtë reaksion që u bë. Në atë protestë që u bë, u ngritën në mbrojtje të viktimës së dhunës seksuale dhe të gjithë fokusin e drejtuan drejt dhunuesit. Dhe kjo mendoj unë është një gjë pozitive për shoqërinë shqiptare, që filluan të reagojnë. Dhe ky reagim që ndodhi duhet për mendimin tim të vazhdojë në ndjekjen e këtyre rastve, në menaxhimin e rasteve, deri në dënimin e dhunuesve dhe rehabilitimin e viktimave./tvklan.al






Të ngjashme