“Charterat” turistikë nisin këtë të premte
Klosi: Sinjali i parë për rigjallërimin e turizmit
Në hotelet e Durrësit do të akomodohen turistët e parë për këtë sezon, të cilët do të vijnë në vendin tonë me fluturime Charter, të cilët do të nisin nga kjo e premte.
Lajmi u dha nga ministri i Turizmit Blendi Klosi në takimin e zhvilluar me grupin e Task-Forcës për turizmin.
“Ditën e premte fillojnë charterat e parë, janë shumë pak në krahasim me vitin e kaluar por që janë sinjali i parë që po zgjerohet jeta turistike”.
Duke iu drejtuar operatorëve turistikë, ministri Klosi kërkoi qe të vazhdohet aplikimi për ndarjen e stacioneve të plazhit.
“Ndarja e stacionit të plazheve ka filluar tashmë në bashkëpunim me kryetarët e bashkive. Nga 3300 stacione plazhi, nga operatorët privat ka vetëm 800 aplikime. Prandaj na duhet të nxisim që të realizohet deri më 15 Qershor e pastaj prefektët me agjencitë te lidhin kontrat me këta operatorë”.
Sipas protokolleve të qeverisë për të parandaluar përhapjen e Covid-19, operatorët turistikë kanë detyrë parësore ruajtjen e higjienës në ambientet e tyre.
Tv Klan