Konferenca në Kosovë (27 Maj 2000)
Konferenca dy ditore ” Kosova dhe fqinjët e saj në të ardhmen” ka filluar punimet sot në Prishtinë. Bashkëpunimi rajonal në funksion të bashkëpunimit, demokratizimit dhe gadishmërisë së një shoqërie civile në Ballkanin e ardhshëm, janë këto disa nga problemet e kësaj konference. Ndër pjesëmarrësit në këtë konferencë janë Skënder Gjinushi, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme Sabri Godo, Kryeministri maqedonas Geogrevski, Lukovac e të tjerë.
Administratori i OKB-së në Kosovë Kushner, nguli këmbë në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe atë ekonomik dhe politik. Pa fqinjët e saj Kosova nuk do të mund të zgjidhë problemet e saj tha ai. Nga pala serbe ka marrë pjesë Natasha Kandiç. Kushner ka nënvizuar rëndësinë për të nxitur partitë e opozitës serbe kundër regjimit të Beogadit dhe për të gjetur një mënyrë për tu folur serbëve. Një nga organizatorët kryesorë të kësaj konference është dhe Veton Surroi.
Por a mund të pranohet në realitetin ballkanik pavarësia e Kosovës? Ja si është prononcuar për mikrofonin tonë kryetari i Parlamentit Shqiptar Skënder Gjinushi:
” Kosova nuk mund të jetë më e varur kjo është e qartë. Kosova duhet të shkojë drejt institucionalizimit dhe drejt vetëqeverisjes. Sot mund të themi që ka një njohje defacto të kësaj fqinje të re për Maqedoninë dhe Malin e Zi. “
Arbër Xhaferri kryetar Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë dhe një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare jashtë kufinjve thotë:
“Pavarësia e Kosovës është pas shthurjes së një sistemi federativ jugosllav ku Kosova me automatizëm e fitoi të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje.”
Ndërsa Sabri Godo është shprehur:
“Është një gjë shumë pozitive që udhëheqësit e Maqedonisë dhe Malit të Zi të një niveli të lartë pohojnë se prania e NATO-s këtu është një domosdoshmëri”./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori