Mikroplastika po rrezikon shëndetin e njeriut


Mikroplastika po rrezikon shëndetin e njeriut

22:49 14/06/2020

Shkencëtarët amerikanë japin alarmin

Shkencëtarët amerikanë japin alarmin se shëndeti i njeriut është në rrezik nga mikrogrimcat plastike që po përhapen anekënd globit, duke ndotur deri zonat me natyrë të egër, qindra kilometra larg habitateve të njeriut.

Konstatimi vjen nga një studim i një grupi shkencëtarësh të Universitetit të Utahut në Shtetet e Bashkuara, ku thuhet se mikrogrimcat plastike janë në shumë raste më të imta se pluhuri që përhapet nëpër qytete dhe qarkullojnë përmes erës, duke u përfshirë në ciklin e krijimit të reshjeve.

Mikrogrimcat plastike janë zbuluar në të paktën 11 parqe kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mes natyrës së egër. Në studim thuhet se mijëra tonë mikrogrimca qarkullojnë çdo vit në atmosferë, në një sasi të mjaftueshme për prodhimin e 123 milionë shisheve.

Por shkencëtarët i shqetëson fakti se ato janë helmuese dhe transportojnë baktere e viruse, që përmes ajrit dhe ujërave të lumenjve, liqeneve, deteve e oqeaneve, mund të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore për njerëzit dhe për botën e gjallë në përgjithësi. Sëmundjet mund të prekin organe të ndryshme sidomos mushkëritë, por mund të shkaktojnë edhe kancer.

Mikrogrimcat formohen nga shpërbërja e objekteve plastike. Aktualisht, këto mikrogrimca përbëjnë 4% të të gjitha grimcave të tjera që qarkullojnë në atmosferë. 30% e tyre kanë ngjyra të forta dhe të dallueshme, ndërsa pjesa tjetër kamuflohet në mjedis.

Tv Klan






Të ngjashme