Gjyqi i Shemsie Kadrisë – (5 Qershor 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Presidentja e Gjallicës Shemsie Kadria nuk ka firmosur pothuajse në asnjë dokument të shoqërisë Gjallica. Pas kalimit të raportit të ekspertëve kontabël të prokurorisë, sot seanca gjyqësore në ngarkim të saj ka vijuar me njohjen me dokumente mbi të cilat është realizuar akt-ekspertimi.
Nga tre personat kryesorë të akuzuar për mashtrim nga shoqëria Gjallica, ish-presidentja Shemsie Kadria është e vetmja e cila ndodhet në bankën e të akuzuarit. Dy drejtuesit e tjerë të Gjallicës, Gani Kadria dhe Fitim Gërxhalliu, gjykohen në mungesë. Nga dokumentet që janë bërë të njohura sot në seancë gjyqësore e që shoqërojnë akt-ekspertizën, firma e presidentes Kadria nuk ekziston në asnjë lloj shkrese administrative.
Bashkëshorti i Shemsie Kadrisë, Gani Kadria, në postin e drejtorit ka firmosur pothuajse të gjitha dokumentat zyrtare të Gjallicës gjatë vitit ’96. Në mungesë të Gani Kadrisë ka qenë avokati Haxhiaj që ka konfirmuar origjinalitetin e firmave të klientit të tij. Njohja e dokumenteve që shoqërojnë akt-ekspertimin do të vijojë për të gjithë shkresat e disponueshme për t’u zbardhur si përmbajtja apo vërtetësia e tyre gjatë gjykimit./tvklan.al