2 vajza me biçikletë të aksidentuara brenda 2 minutave
Shumë të rinj e të reja po zgjedhin gjithnjë e më shumë të lëvizin me biçikleta nëpër rrugët e kryeqytetit. Por duket se shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor mund të kthehen në rrezik për ata që lëvizin me dyrrotakë.
Në një hark kohor prej vetëm 2 minutash, 2 vajza të reja u aksidentuan mëngjesin e kësaj të mërkure në rrugët e Tiranës. Në të dyja rastet vajzat lëviznin me biçikletë.
Burime zyrtare të policisë sqarojnë se aksidenti i parë ndodhi rreth orës 08:07, tek sheshi “Karl Topia”. Një 22-vjeçare e cila po lëvizte me biçikletë u përplas nga një automjet. Aksidenti tjetër ndodhi rreth 08:09, në rrugën “Teodor Keko”, në Unazë të Re. E aksidentuar në këtë rast mbeti një 25-vjeçare.
Dy të rejat u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Policia sqaron se në të dyja këto ngjarje, shoferët e makinave u larguan nga vendi i ngjarjes dhe identiteti i tyre nuk dihet ende.
Për zbardhjen e rrethanave të këtyre dy ngjarjeve, autoritetet përkatëse vijojnë punën./tvklan.al